Ndërlidhjet

logo-print
Parashikimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat tregojnë se për periudhën 2012-2014 do të ketë rritje mesatare të Bruto-Produktit Vendor prej 5.3 për qind, nga njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë vlerësohet të jetë e paarritshme.

Ata thonë se Qeveria e Kosovës nuk është duke punuar në atë drejtim që të realizohen këto parashikime.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke u nisur nga praktikat e deritashme të Qeverisë së Kosovës, kjo e fundit ka marrë shumë pak masa për ta mbështetur biznesin vendor, i cili, siç thotë profesor Limani, mund të ndikojë në rritjen ekonomike.

Musa Limani

Musa Limani


Kam llogaritur një normë të shtimit në vitin 2008 – 2009, dhe sipa kësaj llogaritjeje më del se norma vjetore për këto dy vjet ka qenë 0.6 për qind rritja e GDP-së. Kjo do të thotë se edhe tani nuk është përmirësuar diçka në strukturën e ekonomisë së Kosovës. Duke e pasur parasysh këtë dhe strukturën e ekonomisë së vendit, jam shume skeptik se Kosova mund të arrijë ndonjë normë të shtimit”, thekson profesor Limani.

Profesor Limani thotë se mjetet e projekt-buxhetit të vitit 2012, Qeveria i ka destinuar në projekte kapitale dhe atë në infrastrukturë, e që sipas tij, infrastruktura nuk është element nxitës i zhvillimit ekonomik.

Limani thekson se infrastruktura absorbon investime të mëdha, punëson, mirëpo prodhon shumë pak të mira materiale, të cilat do të mund të ndikonin në rritjen e Bruto-Produktit Vendor.

Unë nuk pres ndonjë zhvillim dinamik në vitin e ardhshëm, përkundrazi mund të ballafaqohemi me probleme, për arsye se instrumentet e nënsistemeve të politikës së zbatuar ekonomike, siç janë instrumentet e politikës fiskale dhe kreditore, nuk janë në nivel të duhur”, shpjegon Limani.

Sidoqoftë, rritja prej 5.3 për qind e Bruto-Produktit Vendor nga Qeveria e Kosovës, është parashikuar të udhëhiqet nga rritja e konsumit, eksporteve dhe investimeve.

Ndërkohë, kontribuues tjetër i rëndësishëm në ngritjen e normës së zhvillimit ekonomik, sipas Qeverisë së Kosovës, do të jetë ngritja e investimeve publike, të cilat në mesatare pritet të kenë një pjesëmarrje prej 11.9 për qind në Bruto-Produktin Vendor.

Parashikimet e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike, i quan jo reale edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.
Investimet kapitale që vijnë nga sektori publik nuk japin efekte të menjëhershme në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sepse struktura e tyre është që efektet e tyre të vijnë më vonë.



Për rrethanat që janë në Kosovë, si klima biznesore e papërshtatshme, investitorët e huaj janë në vazhdimësi në tërheqje e sipër. Investimet kapitale që vijnë nga sektori publik nuk japin efekte të menjëhershme në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sepse struktura e tyre është që efektet e tyre të vijnë më vonë”, konsideron Shatri.

Haki Shatri thotë se trendët ekonomikë në Kosovë kanë treguar se për kohë të gjatë nuk ka pasur rritje të punësimit apo zbutje të varfërisë dhe, sipas tij, Kosova edhe në vitin 2012 nuk do të ketë rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind.

“Mungon marrja e masave të politikave fiskale zhvillimore - nuk është bërë diçka që do të dominonte në mënyrë stimuluese. Prandaj, nuk mund të kemi për tre vjetët e ardhshëm rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind”, sqaron Shatri.

Ndryshe, ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë që Kosova të përmirësojë gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duhet që rritja ekonomike të jetë 8 deri në 10 për qind.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG