Ndërlidhjet

100 ditëshi i Qeverisë Gruevski:Opozita kritikon pushtetin


Nikola Gruevski
Nikola Gruevski
Vendimi i kryeministrit Nikolla Gruevski që me rastin e 100 ditëve nga zgjedhja e Qeverisë, opinionit t`i drejtohet përmes rrjetit social të Facebook-ut dhe në ueb-faqen qeveritare, për opozitën është një dëshmi e fuqishme se Gruevski ka frikë të madhe të ballafaqohet me qytetarët dhe me realitetin e hidhur, në të cilin jeton populli, si pasojë e politikës së gabuar të Qeverisë.

“Edhe Gruevski është i vetëdijshëm se varfëria dhe papunësia shënojnë gjithnjë e më shumë rritje, nga ana tjetër gjithçka shtrenjtohet. Ajo që është më e keqja, prodhimet ushqimore kanë kosto dita-ditës e më të lartë, kurse shteti hyn në borxhe, meqë arka e shtetit, për shkak të keqmenaxhimit të mjeteve financiare, është bosh. Të gjitha këto kërkojnë zgjidhje, të cilat tashmë nuk mund të fshihen pas aktiviteteve populiste. Andaj, ai vendosi të fshihet nga populli përmes dioptrisë së ueb kamerës”, tha Zoran Jovanovski, nënkryetar i LSDM-së, i angazhuar për çështje ekonomike.

Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski tha se Qeveria, që drejton ai, i ka arritur qëllimet e projektuara afatshkurtra, të cilat janë përcaktuar në programin për punë.

Sipas tij, konfirmim për politikën ekonomike dhe reformat e suksesshme që po i zbaton vendi, është rangimi i Maqedonisë në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, si reformatorja e tretë më e përmirësuar në botë.

Duke folur për euro-integrimet e Maqedonisë, kryeministri Gruevski tha se vendi, për herë të tretë me radhë nga ana e KE-së merr raport pozitiv për reformat e zbatuara dhe për herë të tretë e merr edhe rekomandimin për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që, siç theksoi, është rezultat i punës së përkushtuar.

"Veprat dhe realizimet tona janë të bazuara në programin, i cili është publik dhe transparent, matës dhe i dukshëm. Krejt çka kemi premtuar në programin për këtë periudhë, e kemi realizuar. Kemi realizime dhe vepra, të cilat nuk janë të përmbajtura në program, por janë rezultat i sfidave të detektuara dhe përgjigje ndaj të njëjtave me qëllim të tejkalimit të tyre”.

Veprat e realizuara janë rezultat i marrëdhënies së përkushtuar, qasjes përgjegjëse, punës së mundimshme, dialogut dhe bashkëpunimit me target-grupet nga i tërë spektri i shoqërisë. Në kuadër të veprimit tonë, udhëhiqemi nga përcaktimet strategjike dhe parimet themelore të politikës qeveritare, nga interesi nacional e shtetëror, si dhe nga mbështetja e qytetarëve ndaj qëndrimeve të caktuara në drejtim të realizimit të nevojave dhe interesave të tyre", theksoi në fjalimin e tij kryeministri Gruevski.

Edhe partia politike në pushtet vlerësoi se Qeveria kryekëput do të jetë e angazhuar në realizimin e objektivave që vendi sa më parë të anëtarësohet në strukturat euro-atlantike.

Optimizmi i partnerit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë për aspiratat e vendit për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike, bazohet në përcaktimin strategjik të kësaj qeverie, si dhe të gjitha partive politike për integrimet e vendit në NATO dhe BE”, u shpreh Artan Grubi nga BDI-ja, duke shtuar se integrimi i vendit do të thotë njëherësh dhe mbyllje e të gjitha çështjeve të hapura me interes për qytetarët shqiptarë.

Procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE do të lehtësojë shumë dialogun ndërmjet komuniteteve në vend, si dhe do të frymëzojë barazinë e plotë midis të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, kryesisht maqedonasve dhe shqiptarëve, duke marrë parasysh modelin e standardeve të demokracive ku ne aspirojmë t’u bashkëngjitemi familjeve të mëdha në NATO dhe BE”, shtoi Grubi.

Por, partia shqiptare në opozitë, PDSH, tha se konsideron se BDI-ja është vetëm pjesëmarrëse në Qeverinë aktuale pa kapacitet vendimmarrës, gjë që i bën të parealizueshme kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

Lidhur me këtë, Zijadin Sela tha:

“BDI-ja nuk e ka arsyetuar atë për çka është votuar nga elektorati. Vetë fakti se para zgjedhjeve dhe në kohën e fushatës elektorale kjo parti politike tha se do t’i marrë vendet kyç në vendimmarrje, si kryetarin e Parlamentit dhe ministritë kyçe dhe të njëjtat nuk i realizoi, duket qartë se ka dështuar në politikë-bërjen e saj”.

Sela tha se brenda javës partia do të dalë me një analizë të zgjeruar rreth të gjitha dështimeve që e ndjekin Qeverinë aktuale e veçanërisht rolin indiferent të partisë shqiptare në pushtet, duke intensifikuar aktivitetet e veprimit të tyre në opozitë.

Aq më tepër që kjo qeverisje nuk shohim se arrin të realizojë ndonjë politikë të mirë në funksion të interesave të qytetarëve shqiptarë, përpos tentativës që opozitës t’i mbyllet goja. Ne vazhdimisht do të tentojmë t’i luftojmë këto politika të gabuara të Qeverisë. Vazhdimisht do të jemi mes popullit për t’i treguar se kjo nuk është rruga, për të cilën ata janë përcaktuar”, potencoi Sela.
XS
SM
MD
LG