Ndërlidhjet

Marrëveshja kadastrale - humbjet dhe përfitimet


Ilustrim

Ilustrim

Për kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia është arritur marrëveshje gjatë bisedimeve që janë zhvilluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Kjo marrëveshje është paraparë që të nisë së zbatuari në këtë muaj, por gjykuar nga përvoja e deritashme e moszbatimit nga ana e Beogradit, mbetet dilemë nëse Kosova do t’i ketë dokumentet kadastrale këtë vit.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Serbia obligohet t’i kthejë dokumentet kadastrale të marra në Kosovë gjatë kohës së luftës.

Sido që të jetë, kthimi eventual i tyre, do të lehtësojë administrimin e tokave, do të krijojë mundësi për planifikim, zvogëlim konfliktesh dhe debatesh ndërmjet pronarëve dhe shfrytëzuesve të tyre, thonë zyrtarë të Qeverisë, sipas të cilëve, mungesa e këtyre dokumenteve ka shkaktuar probleme të mëdha.

Murat Meha, udhëheqës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, konsideron se kthimi i këtyre dokumenteve do t’u mundësojë autoriteteve kompetente vërtetimin dhe verifikimin e pronës se kush ka qenë në të kaluarën dhe kush është aktualisht pronar i pronave të caktuara.

Meha thotë se mungesa e dokumenteve origjinale kadastrale ka krijuar vështirësi të mëdha në punën e agjencisë.

Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri, kryenegociatorë në dialogun Kosovë - Serbi.

Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri, kryenegociatorë në dialogun Kosovë - Serbi.


Sigurisht që mungesa e dokumentacionit të plaçkitur nga territori i Kosovës, gjatë kohës së luftës, ka sjellë probleme të mëdha. Prandaj, shpresojmë dhe besojmë në atë se ai dokumentacion do të qartësojë procesin e pronësimit të pronave duke u bazuar në ligjet funksionale dhe të zbatueshme që janë sot në kadastër”, thotë Meha

Krijimi dhe rindërtimi i informacioneve kadastrale ka qenë sfidë për autoritetet kompetente, thonë edhe njohës të kësaj fushe.

Gjeodeti Murat Hoxha, njëherësh pronar i kompanisë private “ProGIS”, kompani kjo që merret me rindërtimin e të dhënave kadastrale dhe hartimin e informacioneve gjeodezike, tregon problemet e paraqitura në mungesë të të dhënave kadastrale.

Hoxha thotë se në disa raste, persona të caktuar kanë qenë të detyruar që të shkojnë në Serbi dhe në mënyra të ndryshme joligjore, të pajisen me të dhënat e nevojshme.
Ka raste që përmes kanaleve të ndryshme, shkojnë në Serbi dhe ato të dhëna i blejnë në të zezën, ne nuk e dimë a janë të sakta apo jo.



Ekzistojnë probleme të rralla që nuk mund të zgjidhen pa këtë dokumentacion, por nuk janë probleme të shpeshta. Ka raste që përmes kanaleve të ndryshme, shkojnë në Serbi dhe ato të dhëna i blejnë në të zezën, ne nuk e dimë a janë të sakta apo jo".

“Besoj se institucionet në Serbi janë duke e keqpërdorur këtë, nuk janë duke i dhënë këto dokumente, pasi kosovarët shpesh shkojnë dhe japin para për t’i blerë këto dhëna”,
tregon Hoxha.

Marrëveshja e arritur për kthimin e këtyre dokumenteve, sipas Hoxhës, do t’i lehtësojë edhe procedurat për çështjet gjyqësore, por edhe në regjistrimin dhe realizimin e të drejtave të pronës.


Problemet kanë qenë te rindërtimi i të dhënave kadastrale, do të thotë pjesa grafike mungon, pjesa tekstuale është më e ngritur, sepse e kemi deri në vitin 1988. Ndërsa, bazën grafike, prej vitit 1955 e kanë marrë, do të thotë gjithë ai mund që është bërë, është marrë krejt. Pastaj janë marrë pajisjet, janë marrë krejt. Do të thotë, kjo ka ndikuar shumë, shumë negativisht”, thekson Hoxha.

Ndërkaq, Murat Meha, udhëheqës i Agjencisë Kadastrale, thekson se kthimi i të dhënave kadastrale nga Serbia në Kosovë do të mundësojë zgjidhjen e çështjeve kontestuese kadastrale konform Kushtetutës se Republikës se Kosovës dhe standardeve evropiane.

Mungesa e këtyre dokumenteve paraqet problemin e parë, se edhe me Kushtetutë parashihet që prona është e garantuar. Pastaj, zbatimi i ligjeve për shfrytëzimin e pronës është i domosdoshëm dhe për këtë arsye ka pasur raste që nuk kemi mundur të verifikojmë ndonjë element të pronësisë, për shkak të mungesës së origjinales, që edhe sot e kësaj dite, për disa pjesë të territorit tė Kosovës, gjenden në Serbi”, thotë Meha.

Një dilemë tjetër mbetet, po ashtu, kthimi i kopjeve të dokumenteve kadastrale dhe jo dokumenteve origjinale, pasi, sipas marrëveshjes së arritur, Beogradi nuk do t’i kthejë dokumentet origjinale, por vetëm kopjet.

Ekspertë të ndryshëm kanë shfaqur shqetësimin se kopjet do të shkaktojnë konteste të vazhdueshme, meqë në rast të ndonjë arbitrazhi juridik, gjithnjë do të merret parasysh dokumenti origjinal dhe jo kopja.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG