Ndërlidhjet

Ivanoviq: Prishtina i bën gropën dialogut


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Nuk ka shenja se serbët e veriut të Kosovës do të tërhiqen nga barrikadat, ndërkaq, KFOR-i po bie në kundërshti me gjithë bashkësinë serbe, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë. Ai thekson, gjithashtu, se Prishtina po i bën gropën dialogut me veprime të dhunshme. Ai nuk e përjashton mundësinë që çështja e veriut të shtrohet në dialogun Kosovë-Serbi, por, sipas tij, tash për tash nuk duhet insistuar që kjo temë të hapet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, në veriun e Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët nga barrikadat që kanë ngritur serbët lokalë. Si e shihni ju situatën, përdera nuk ka shenja se do të pranohen kërkesat e serbëve për mosprezencën e doganierëve kosovarë në vendkalime kufitare në veri të Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Situata për këtë arsye është e tensionuar, por nuk ka asnjë shenjë se serbët do të heqin dorë nga taktika e tyre, sepse barrikadat nuk janë qëllim në vetvete dhe serbët nuk janë, fundja, të papunë deri në atë masë sa që në barrikada ta kalojnë kohën e tyre. Por, thjesht, ata e kuptojnë që ky është moment kyç dhe se ekziston rreziku që me dhunë të integrohen në Kosovën e pavarur. Ky është çmim i madh dhe për ta kundërshtuar këtë çmim, asgjë nuk është e vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
KFOR-i së fundmi ka pasur një aksion për heqjen e një barrikade në Bërnjakë, ndërkohë që serbët kanë ngritur një barrikadë tjetër, që sipas KFOR-it, është në territorin e Serbisë. Zyrtarët e KFOR-it kanë shprehur interesimin, siç thuhet, se si do të reagojë Beogradi ndaj faktit që ekziston një barrikadë në territorin e Serbisë, e cila e pengon lirinë e lëvizjes...
OLIVER IVANOVIQ
Ajo barrikadë nuk e pengon lëvizjen e lirë, sepse aty nuk ka fare lëvizje në drejtim të vendkalimit kufitar. Prandaj, thjesht, nuk duhet të luhet me gjëra të tilla. Kjo reflekton si një lojë fëmijësh. Si do të reagojë Serbia? Serbia nuk do të reagojë fare derisa serbët të qëndrojnë në ato barrikada. Është krejtësisht e sigurt që KFOR-i duhet të mendojë për vete. Në këtë mënyrë ai po bie në kundërshti me të gjithë bashkësinë serbe, gjë që është e keqe dhe në sytë e serbëve ai krijon një vlerësim mjaft negativ.

Në anën tjetër, mendoj se kjo e zvogëlon hapësirën manovruese për EULEX-in, kurdo që EULEX-i përsëri mund të jetë në veri. Nëse në një situatë të tillë e kemi një mision të policisë dhe ligjit, atëherë ajo nuk ka asnjë shans që të jetë e suksesshme.

EULEX-i i është ofruar pozitës së pavolitshme, sepse nuk është i pranishëm askund në tre muajt e fundit. Unë mendoj se tash e ka mjaft të vështirë që të kthehet dhe ta marrë pozicionin që e ka pasur para 25 korrikut. KFOR-i, thjesht, nuk guxon që të luajë me këto gjëra. Kështu nuk do ta zgjidhë problemin, por vetëm do t’i ngritë tensionet.

RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka shënuar ngecje, ndonëse ka paralajmërime se mund të rinisë. A mendoni se rinisja është e mundur, përderisa Prishtina zyrtare refuzon që si temë e bisedimeve të jetë veriu i Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se për veriun e Kosovës, fundja, nuk duhet të bisedohet në takimin e parë. Është e sigurt që dhuna që e ka ndërmarrë Prishtina më 25 korrik duhet të sanksionohet politikisht. Nuk mendoj se këtu tash duhet të kërkohet ndonjë përgjegjësi penale, por përgjegjësia politike gjithsesi që ekziston. Gjendja duhet të kthehet ashtu siç ka qenë para 25 korrikut, sepse me veprime të dhunshme dhe të njëanshme, Prishtina po i bën gropën dialogut.

Është e rëndësishme që dhuna të mos shpërblehet ose të paktën, të mos krijohet përshtypja se dhuna shpërblehet. Pastaj, dialogu do të duhej të vazhdonte aty ku ka mbetur. Në të kundërtën, unë mendoj se do të vazhdojmë të merremi edhe me vendkalimet, por edhe me veriun, sepse kjo çështje potencohet dhe shpërfaqet veçanërisht në këtë formë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, nëse Prishtina e ndan mendjen që të mos flasë fare për veriun e Kosovës, a do të ketë fare dialog?
OLIVER IVANOVIQ
Prishtina duhet të bisedojë për të gjitha temat e hapura. Prishtina nuk e ka atë luks që t’iu ikë disa temave, sepse ato janë tema të hapura dhe që paraqesin problem. Moszgjidhja e atyre temave, thjesht, nuk është e mirë, sepse në atë rast tensionet do të grumbullohen dhe në një moment ato do të eksplodojnë. Prandaj, është më mirë për të gjithë pjesëmarrësit në këto bisedime që t’ju qasen të gjitha temave që janë të rëndësishme.

Por, veriu, si i tillë dhe as statusi i tij , nuk është në këtë moment temë dhe as që duhet të insistohet për të. Mendoj se duhet të insistohet që të mos bëhen veprime të njëanshme, të mos shfrytëzohet dhuna për të ndryshuar realitetin dhe situatën në terren, si dhe baraspeshën e forcave. Por, normalisht, të sanksionohet në kuptimin politik veprimi i njëanshëm i Prishtinës, të vazhdohet me dialogun teknik dhe kjo do të na çonte deri në një moment kur do të bisedojmë edhe për veriun, por edhe për statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, mediat serbe e kanë cituar liderin e Këshillit Kombëtar Serb, Millan Ivanoviq, të ketë thënë se do të kërkojë nga Kuvendi i Serbisë që Borko Stefanoviq të mos bisedoj më në emër të serbëve të veriut të Kosovës. Kjo për shkak se, siç ka thënë ai, marrëveshjet me Kosovën vetëm se po u sjellin dëme serbëve. A mendoni se ekzistojnë plasaritje ndërmjet serbëve të veriut të Kosovës dhe autoriteteve në Beograd?
OLIVER IVANOVIQ
Kjo organizatë tashmë nuk është relevante në çfarëdo kuptimi. Por, është brengosëse që kërkesa të tilla apo të ngjashme, kanë disa kryetarë të zgjedhur, legjitimë dhe legalë, të komunave. Kjo nuk do të sjellë deri te ndarja e serbëve të veriut nga shteti i tyre, por eventualisht mund të prodhojë tone të këqija dhe komunikim të keq. Ndërkaq, për suksesin e këtyre bisedimeve, në mënyrë të barabartë janë të rëndësishëm, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, bashkësia ndërkombëtare, por edhe serbët në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
A po shfrytëzohen problemet e veriut të Kosovës nga partitë politike në Serbi, si adut për zgjedhjet e ardhshme atje?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk do të thosha se problemet në këtë moment po shfrytëzohen si adut, por nuk mund ta mohojmë faktin se disa parti opozitare këtë çështje e theksojnë më shpesh se sa të tjerët. Thjesht, të gjithë janë të brengosur se si do të duket kjo në fund dhe sa do të zgjasë, sepse ky tension asnjë njeri qëllim-mirë nuk mund ta kënaqë.

Megjithatë, po vijnë zgjedhjet dhe me to edhe fushatat. Në fushata është gjithçka e lejuar. Nuk po e përjashtoj mundësinë që gjatë fushatës veriu do të përmendet shumë më shpesh sesa në rastin që kjo situatë të mos ishte.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a do t’i dëmtojë një gjë e tillë interesat e serbëve në veri të Kosovës?
OLIVER IVANOVIQ
Parimisht jo. Fushata është fushatë. Ashtu siç ka qenë edhe në Prishtinë - kur kalon fushata, disa tema ikin nga faqet e para. E, unë shpresoj që deri atëherë do ta zgjidhim problemin e marrëdhënieve me KFOR-in, si dhe problemin e kthimit të doganierëve nga vendkalimet 1 dhe 31. Me këtë do ta zgjidhim edhe problemin e barrikadave, gjë që do të thotë se kjo temë, si e tillë, do të jetë e parëndësishme në kuptimin politik.
XS
SM
MD
LG