Ndërlidhjet

Isufi: Jo propagandë, por veprim


Ahmet Isufi
Ahmet Isufi

Qytetarët e Kosovës presin realizim të planit i cili është i zbatueshëm në territorin e Republikës së Kosovës dhe është në dobi të qytetarëve të Kosovës. Nuk ka nevojë për propagandë, por ka nevojë për veprim konkret, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se janë të përkushtuar për të ndryshuar gjendjen atje, por deri më tash nuk kanë diçka konkrete. Si e shihni ju gjendjen atje?

AHMET ISUFI
Në veriun e Kosovës është prishur status-quoja dhe tani institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare duhet të ndërmarrin të gjitha hapat që atje të ketë zbatim të rendit dhe ligjit, po ashtu të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, të mallrave, dhe të mos lejohet që edhe më tutje të shkelet ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e institucioneve të cilat kanë përgjegjësi, duhet të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duhet të zbatojnë ligjshmërinë në vend dhe nuk kanë nevojë të japin deklarata të cilat janë bërë “bajate” në opinion. Nuk kanë nevojë të prononcohen, por kanë nevojë veprojnë.

Qytetarët e Kosovës presin realizim të planit i cili është i zbatueshëm në territorin e Republikës së Kosovës dhe është në dobi të qytetarëve të Kosovës. Nuk ka nevojë për propagandë, por ka nevojë për veprim konkret.

RADIO EVROPA E LIRË
Për zgjidhjen e çështjes së veriut ka pasur ide të ndryshme, duke u nisur nga ajo e “Ahtisarit plus”, për shkëmbimin e territoreve. Si i shihni ju këto ide, dhe a shihni ndonjë zgjidhje të shpejtë?

AHMET ISUFI
Tani ekziston Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e bazuar në draftin e zotit Ahtisari, dhe asnjë institucion tjetër nuk mund të vijë në shprehje, për arsye se krijon disbalanc në gjithë territorin e Ballkanit.

Prandaj, duke konsideruar edhe qetësinë në vendin tonë, po ashtu në lidhje me vendet e tjera, është një solucion i vetëm, që është zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës.

Çdo tendencë për ta ndryshuar këtë pozicion, tani për tani, është i dëmshëm sepse nuk janë në gjendje të lëvizin gjërat të cilat do të krijonin konflikte të reja dhe ngatërrim të procesit. Zgjidhja e vetme e qëndrueshme momentalisht është kjo, dhe nuk duhet të iket nga obligimet që kanë institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, që në territorin e Kosovës të ketë rend dhe ligj.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarët e delegacionit të Kosovës që janë pjesë përbërëse e e ekipit për negociata me Serbinë kanë njoftuar se nga mesi i muajit mund të rinisin bisedimet Prishtinë – Beograd. Si i shihni ju në fakt këto bisedime?

AHMET ISUFI
Është humbje kohe tani marrja me bisedime, kur dihet që janë ndërprerë disa herë, ka pasur devijim nga procesi i bisedimeve, kanë qenë bisedime të papërgatitura dhe po i shihni edhe rezultatet e këtyre bisedimeve. Prandaj, nëse flasim për bisedime në raportin Serbi – Kosovë, një herë duhet Serbia të kryejë të gjitha obligimet që i ka ndaj Kosovës, pastaj mund të komunikojmë si fqinjë.

Por, deri sa Serbia asnjë obligim e merr, madje nuk i zbaton as marrëveshjet të cilat janë arritur me bashkësinë ndërkombëtare, është shumë e kuptueshme se Serbia në vazhdimësi këtë hapësirë e shfrytëzon për t’u integruar më shpejtë në BE dhe për të marrë një kohë shtesë që t’i realizojë qëllimet e veta. Institucionet e Kosovës, dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve duhet të jenë të kujdesshëm se nuk bën të humbet cilësia e veprimit konkret në territorin e Kosovës, dhe përmbushja e obligimeve ndaj qytetarëve të Kosovës. Nuk duhet edhe më tutje të luhet me këtë letër të zhagitjes [heqjes zvarrë] të problemeve, sepse Serbia po përfiton nga kjo.

Ne kemi deklaruar që në fillim që këto bisedime nuk janë teknike, janë krejtësisht politike, për arsye se zbatohen ose obligohen përfaqësues politikë të institucioneve të Serbisë dhe të Kosovës, madje edhe çdo veprim që ka qenë deri tani ka pasur më shumë ngjyrim politik se sa teknik. Prandaj në aspektin teknik ishte dashur administratat e të dyja vendeve të punojnë në mënyrë që të jenë bisedime teknike. Këto janë krejtësisht politike, dhe po i shihni edhe formulat që po ofrohen për Kosovën po çojnë në atë drejtim që të kuptohet si krejtësisht politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2012. Sa mendoni se është i realizueshëm?

AHMET ISUFI
Ne jemi duke e studiuar buxhetin i cili do të paraqitet edhe në Parlamentin e Kosovës, dhe si parti politike kemi shumë vërejtje në ndarje të këtij buxheti dhe po ashtu në të hyrat dhe dalat që parashihen në këtë buxhet.

Faktikisht Kosova në këtë mënyrë të studimit dhe ofrimit të këtij buxheti, po tregon që këto institucione nuk janë aspak serioze në qëndrueshmërinë e ardhshme financiare dhe ekonomike. Qeveria duhet të marrë hapa më seriozë në mënyrë që mundet të kalojë ky buxhet. Kështu si është, është me shumë defekte.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi në media kemi parë opinione të ndryshme ku flitet për një koalicion të mundshëm mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Çka ka në fakt të vërtetë në këtë?

AHMET ISUFI
Sa herë kemi në qeveri krizë të brendshme, atëherë dalin solucione të cilat normalisht e përfshijnë AAK-në.

Nuk është as e para as e fundit kjo, sepse ky koalicion është mbi baza të një interesi krejtësisht privat të individëve të cilët e kanë lidhur, dhe po e shihni që tani kemi të bëjmë edhe me ministri të cilat ata nuk po mund të pajtohen t’i ndajnë pjesën që gjoja ka mbetur, me ambasadorët, pastaj eshe përzgjedhja në borde, të cilat duhet të jenë të pavarura.

Kjo tregon për politizimin e tërësishëm dhe të skajshëm të institucioneve të Kosovës, dhe kjo po e dëmton imazhin e Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pasur qëndrimin e vet edhe para zgjedhjeve, edhe tani e ka të njëjtin qëndrim, se nuk kemi llogari të hyjmë në koalicion me ata të cilët e kanë sjellë vendin në buzë të krizës.
XS
SM
MD
LG