Ndërlidhjet

Duket se askush nuk e di saktësisht se çka shkruan në raportin e më të ri për programin bërthamor të Iranit.

Por, sipas sugjerimeve të mediave ky raport, i cili pritet të publikohet më 8 ose 9 nëntor, mund të sjellë befasi të madhe të papritur.

E përditshmja Nju Jork Tajms ka raportuar se zyrtarët privatisht kanë thënë se Agjencia Ndërkombëtare për Energji Abërthamore (ANEB), ka mbledhur dëshmi “që sugjerojnë se shkencëtarët iranianë kanë eksperimentuar me dizajne të kokave luftarake, me sisteme detonuese bërthamore dhe kanë specializuar pajisje të këmbëzave, që mund të shpjegohen vetëm si punë në armatimin atomik”.

Raporti, gjithsesi, do të jetë më eksplodues pasi publikohet në periudhën kur ekipet iraniane kanë filluar lëvizjen e makinave të centrifugës në një kapacitet të ri nëntokësor.

Ky kapacitet i ri në Fordov, që është bazë e Njësiteve të Gardës Revolucionare të Iranit, afër vendit Qom, është thellë nën mal, dhe shumë qeveri perëndimore besojnë se është një përpjekje iraniane për mbrojtjen e centrifugës nga ndonjë sulm i mundshëm.

Në të njëjtën kohë, Irani vazhdon t’i përdorë centrifugat për pasurimin e uraniumit në kapacitetin e njohur të Natancit, i cili është më pak i fortifikuar.

Raporti më i ri, publikimi i të cilit pritet javën e ardhshme, me siguri se do të rezultojë me presion të ri ndaj Iranit, për ta ndalur atë që gjithnjë e më tepër duket si përkushtim për të prodhuar armatim atomik.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka kërkuar presion të ri ndaj Iranit, në takimin e Grupit 20, që këtë javë u mbajt në kanë të Francës.

Ne kishim mundësi, po ashtu, të bisedojmë për një varg të çështjeve të sigurisë. Atë që dua veçanërisht ta përmend, është kërcënimi i vazhdueshëm nga programi atomik i Iranit. ANEB-i do ta publikoj raportin javën e ardhshme për programin atomik të Iranit, për të cilin unë dhe presidenti Sarkozi jemi pajtuar se duhet të mbahet presion ndërkombëtar i paprecedent ndaj Iranit, që t’i plotësoj obligimet e tij”, tha Barak Obama.

Para publikimit të raporti, tensionet, po ashtu, janë ngritur edhe për shkak të spekulimeve në rritje në media se Izraeli po planifikon një aksion potencial ushtarak kundër Iranit.

Gazeta izraelite “Haaretz” ka raportuar se kryeministri Benjamin Netanjahu dhe ministri i mbrojtjes, Ehud Barak, po punonin për të fituar mbështetje në qeverinë izraelite, për sulm ushtarak parandalues kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit.

Këto ditë ishte transmetuar edhe lajmi se armata izraelite e ka testuar raketën balistike, për të cilën është thënë se është e aftë për të bartur koka atomike për në Iran.

Në të njëjtën kohë, e përditshmja britanike “Guardian” ka raportuar se ministria e mbrojtjes e Britanisë “beson se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin t’i përshpejtojnë planet për sulme raketore ndaj disa kapaciteteve kryesore iraniane”.

Raportet e gazetave e kishin krijuar një debat të nxehtë, kështu që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se “sidoqoftë, NATO-ja nuk ka synim për të intervenuar në Iran dhe NATO-ja nuk është e angazhuar si aleancë në çështjen e Iranit”.

Lidhur me këto çështje, ja se çka i deklaroi Radios Evropa e Lirë, Hoshang Hasanjari, profesor në Kolegjin Ushtarak Mbretëror të Kanadasë në Kingtston të Ontarios.

Deklaratat e bëra nga autoritetet e Izraelit qartazi i kanë bindur krerët e vendeve të rëndësishme perëndimore, se ata tash e cilësojnë Iranin, jo vetëm si kërcënim për Izraelin, por edhe si kërcënim ndaj tyre.

Deklaratat e bëra nga autoritetet e Izraelit qartazi i kanë bindur krerët e vendeve të rëndësishme perëndimore, se ata tash e cilësojnë Iranin, jo vetëm si kërcënim për Izraelin, por edhe si kërcënim ndaj tyre. Ata, po ashtu, ia dolën t’i bindin disa nga fqinjët e Iranit, për ta parë Iranin si kërcënim për këto shtete fqinje. Mendoj se kërcënimi i opsionit ushtarak është shumë serioz, dhe duhet të merret seriozisht”, tha Hasanjari.

Megjithatë, tash për tash, duket se presioni nga vendet perëndimore është për më tepër diplomaci, e jo sulme.

Në këtë temë, ka folur edhe zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland.

Ne kemi thënë shumë herë gjatë javëve të kaluara dhe gjatë muajve të fundit, se ne nuk synojmë konfrontim ushtarak me Iranin. Ky mbetet pozicioni ynë. Duke e thënë këtë, ne do ta përdorim secilin mjet në disponimin tonë, për të vazhduar rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Iranit, për t’i plotësuar obligimet e tij ndaj ANEB-it dhe për të dalë i pastër nga programi i tij bërthamor”, tha Viktoia Nuland. (f. b.)

XS
SM
MD
LG