Ndërlidhjet

Kriza në eurozonë; ka reflektime edhe në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se si rrjedhojë e krizës ekonomike në Evropë, viti 2012 do të jetë i vështirë edhe për ekonominë e Kosovës.

Ata thonë se kriza në eurozonë mund të ndikojë në mënyrë indirekte, por sidoqoftë do t’i ketë efektet e veta negative.

Profesori i ekonomisë në Institutin “Riinvest”, Alban Hashani thekson se ekonomia kosovare nga kjo krizë do preket në disa segmente.

Kriza në eurozonë mund të përcillet përmes disa kanaleve, por jo në ndikim të drejtpërdrejtë për shkak se Kosova ka një integrim të vogël me këto ekonomi. Megjithatë, ndikimi i tërthortë do të ishte përmes importeve, i cili ka një pjesëmarrje të madhe të konsumit të qytetarëve dhe së dyti do të mund të kishte ndikim në zvogëlimin e potencialit investues në investimet eventuale në Kosovë”, thotë ai.

Ndikimet e krizës ekonomike në Evropë të cilat mund ta prekin edhe Kosovën i ka paralajmëruar ditë më parë edhe Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, i cili ka thënë se Kosova dhe shtetet e rajonit në vitin 2012, do të përballen me një klimë të rëndë ekonomike.

Shkalla e lartë e papunësisë dhe mungesa e investimeve të jashtme, sipas shefit të Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, janë dy nga sfidat kryesore të Kosovës, në një kohë kur Evropa është në një krizë për shkak të borxheve të mëdha të Greqisë.

Ai ka thënë që Kosova duhet sa më parë të zvogëlojë hendekun në infrastrukturë dhe teknologji në raport me shtetet e zhvilluara.

Në anën tjetër, Agron Demi nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillime të Avancuara (GAP), thotë se kriza ekonomike globale mund t’i ketë ndikimet e veta edhe në ekonominë kosovare, kur dihet që Kosova përdorë valutën euro.

E gjithë kjo mund të ketë ndikimet veta edhe në ekonominë kosovare, kur dihet që valuta që ne përdorim është euro dhe e cila është në rrezik të shpërbehet.
Shenjat e para të krizës ekonomike u vërejtën në vitin 2008 në SHBA, tani në vitin 2011 – 2012 kur SHBA po e merr veten nga pak ekonomikisht, është Evropa e cila ka rënë në një krizë të thellë financiare, qoftë për shkak të borxhit të lartë të Greqisë, qoftë nga vendet tjera të BE-së, siç është Italia dhe Spanja. E gjithë kjo mund të ketë ndikimet veta edhe në ekonominë kosovare, kur dihet që valuta që ne përdorim është euro dhe e cila është në rrezik të shpërbehet”, thotë ai.

Ndërkohë, njohës të çështjeve ekonomike, vlerësojnë se Kosova përveç ndikimeve që mund t’i ketë nga kriza ekonomike në Evropë, vendi ka qenë në krizë të vazhdueshme ekonomike si pasojë e mos hartimit të një plani të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, si dhe problemeve politike në të cilat ka kaluar vendi gjatë viteve të fundit.

Agron Demi nga Instituti GAP kërkon nga autoritetet kosovare që të tregohen më të kujdesshme karshi këtyre zhvillimeve ekonomike në Evropë.

Përderisa para dy vjetëve buxheti shtetëror dhe ekonomia kosovare është varur nga të hyrat brenda vendit dhe nuk ka pasur një integrim të madh në sektorin financiar e ndërkombëtar, viteve të fundit po kalkulohet në të hyra të mëdha buxhetore prej vendeve tjera. Kur kihet parasysh që kriza ekonomike globale çdo herë është në rritje, atëherë Qeveria e Kosovës nuk duhet të ketë shumë shpresa në donacionet ndërkombëtare dhe shitjen e pronës publike”, shprehet Demi.

Ndryshe, ndër të tjera edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kohë më parë ka tërhequr vërejtjen se sistemi financiar në botë është tani më i prekshëm, se sa në kohën e krizës globale në vitin 2008.

Në vështrimin e fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron për rrezikun e recesioneve të reja në eurozonë dhe SHBA, krizat e të cilëve nuk do të arrijnë të vihen nën kontroll në hapësirën ekonomike përkatëse.
XS
SM
MD
LG