Ndërlidhjet

Ndalet konvoji i KFOR-it

  • RFE /RL

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Një konvoj i automjeteve të rënda të KFOR-it është ndaluar të shkojë në drejtim të urës së Llozishtes, për të cilën misioni paqeruajtës i NATO-s, ka thënë ditë më parë se ka nevojë për riparime.

Ne kemi thënë të enjten se do të lëvizim në veri, me qëllim që të riparojmë një urë në Leposaviq. Dhe me sa di unë disa kamionë janë ndaluar. Kjo është e vërtetë”, i tha radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Ditë më parë, përmes një komunikate për media, KFOR-i bëri të ditur se ura Llozishte në rrugën që çon drejt vijës kufitare në Jarinjë ka nevojë për riparime “urgjente për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore”.

KFOR-i ka vlerësuar se lëvizja brenda katër komunave në veri është penguar në mënyrë kritike për shkaqe sigurie, ndërsa njoftoi se nga 7 nëntori KFOR-i do të vazhdojë punimet për të riparuar urën, punime këto që kishin nisur para 16 shtatorit.

Ne sigurisht se do ta riparojmë urën, herët a vonë, por aktualisht nuk e di, besoj se do të ketë bisedime”, tha Novicki.

Përfaqësues të serbëve lokalë, që po qëndrojnë në barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë kah portat kufitare 1 dhe 31, kanë thënë se konvoji i KFOR-it është penguar të kalojë, meqë ka pasur druajtje se me automjetet e rënda, KFOR-i “po përpiqej t’i shembte barrikadat”.

Ndryshe, sipas Novickit, situata në tërësi në komunat veriore, ku tash tre muaj janë ngritur barrikada në përpjekje për të penguar vendosjen e doganierëve dhe policëve kosovarë në kufi, ka qenë e qetë dhe pa incidente edhe gjatë fundjavës së shkuar.

Ai përsëriti thirrjen për liri të lëvizjes pa kushte, për çdokënd në Kosovë.

Novicki po ashtu tha se KFOR-i është në pritje të lëvizjes së Beogradit në lidhje me barrikadat që nga e premtja janë ngritur edhe në territorin serb, si afër pikës 1 ashtu edhe afër asaj 31.(a.i.)
XS
SM
MD
LG