Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 224 mijë lëndë presin zgjidhje


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në gjykatat e Kosovës.

Janë rreth 224 mijë lëndë të pazgjidhura që presin nëpër sirtarët e gjykatave të shkallëve e natyrave të ndryshme, problem ky që është trashëguar nga viti në vit.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzuallah Hasani, thotë se kjo gjendje është krijuar si pasojë e mungesës së gjyqtarëve.

Është viti i dytë ku ne kemi 123 gjyqtarë mungesë dhe janë diku 224 mijë lëndë të pazgjidhura.
Edhe pse me kapacitetin që e kemi të këtyre gjyqtarëve, secili nga ta ka kaluar normën për disa lëndë. Por, numri megjithatë ka ardhur duke u rritur. Është viti i dytë ku ne kemi 123 gjyqtarë mungesë dhe janë diku 224 mijë lëndë të pazgjidhura”, bën të ditur Hasani.

Hasani deklaron se sistemi i gjyqësorit vazhdon të ballafaqohet edhe me probleme të tjera, por vonesa e zgjidhjes së lëndëve është problemi më i madh.

Një gjë të tillë e pranojnë edhe drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryesuesi i këtij këshilli, Enver Peci, thotë se në grumbullimin e shumë rasteve, aktualisht është duke kontribuar mungesa e kuadrove.

Megjithatë, ai thekson se ka qenë një kohë, kur kjo është bërë për shkak të pasivitetit në gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor i ka adresuar problemet më të mëdha, se çka e përbën numrin më të madh të lëndëve. Ju e dini që pjesën më të madhe e kemi me lëndët në ekzekutim apo përmbarim. Ne kemi një program dyvjeçar, në të cilin janë të angazhuar 30 referentë ekzekutues edhe ata veç i kanë arritur rezultatet e para në identifikimin e problemeve”, thotë Peci.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës tashmë ka aprovuar një strategji të re për zvogëlimin e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe drejtuesit e Gjykatës Supreme, në raportet e tyre të prezantuara, kanë thënë se si rezultat i kësaj strategjie, për tre muajt e parë të këtij viti, numri i lëndëve të grumbulluara ka rënë për 11%.

Por, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, shpreson se me përfundimin e emërimit të gjykatësve të rinj, numri i lëndëve do të ulet në masë të konsiderueshme.

Tani janë duke i intervistuar gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut, dhe planifikohet që deri në fund të këtij viti të plotësohet numri prej 123 gjyqtareve...
Tani janë duke i intervistuar gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut, dhe planifikohet që deri në fund të këtij viti të plotësohet numri prej 123 gjyqtareve, në të gjitha nivelet e Kosovës”, shprehet Hasani.

Në grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura duket të ketë ndikuar edhe mbyllja e gjykatave në veri të Kosovës, të cilat disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, në muajin shkurt të vitit 2008, ishin uzurpuar nga protestues serbë.

Gjyqtarët në sistemin e drejtësisë thonë se një nga problemet me të cilat janë duke u përballur, jashtë asaj të mungesës së gjyqtarëve, është mungesa e hapësirave të mjaftueshme në gjykata.

Misioni për forcimin e sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX, ka mbi vete përgjegjësinë për të asistuar, këshilluar dhe monitoruar institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ky mision ka trashëguar po ashtu një sërë lëndësh që po i trajtonte UNMIK-u, para se të rikonfigurohej dhe të zvogëlohej si mision, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, drejtësia vazhdon të jetë sektori më i kritikuar në Kosovë, jo vetëm për moszgjidhjen e lëndëve, por po ashtu edhe për praninë e korrupsionit.

Aktualisht në procese gjyqësore janë dënuar disa punonjës të gjykatave, që dyshohen për keqpërdorime apo abuzime me detyrën zyrtare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG