Ndërlidhjet

Pulsi i krizës në botë


Pamje nga Greqia
Pamje nga Greqia
Ministri grek i financave, Evangelos Venizelos, takoi gjatë ditës Komisionerin Evropian për Ekonomi dhe Çështje Monetare, Oli Ren, pas pajtimit të partive politike në Greqi për formimin e një qeverie të unitetit, me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza e borxheve.

Ministri ka pasur një takim pozitiv dhe diskutime produktive me komisionerin Oli Ren lidhur me zhvillimet e fundit politike”, thuhet të deklaratën e ministrisë greke.

Temë e bisedimeve ishin procedurat për marrjen me kohë të këstit të gjashtë të huasë, fillimi i negociatave për planin e ri të shpëtimit…dhe përgatitjet e një skeme të re rreth përfshirjes së sektorit privat (PSI)”.

Venizelos do ta përfaqësojë Greqinë në takimin e të hënës të grupit evropian, ndërsa do ta takojë kreun e saj, Xhon Klodë Junker, më vonë gjatë ditës.

Liderët politikë në Greqi, ndërkohë, po vazhdojnë edhe të hënën diskutimet rreth detajeve për një qeveri të përkohshme të unitetit.

Sipas një marrëveshjeje të arritur të dielën, George Papandreu, do të japë dorëheqjen si kryeministër.

Ai dhe kreu i opozitës konservative, Antonis Samaras, po diskutojnë se kush do të bëhet kryeministër i ardhshëm dhe me kë do të mbushet kabineti i ri qeveritar.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Ilias Mosialos, tha se planet flasin për një qeveri me ndarje të fuqisë, e cila do të votohej në parlamentin e vendit brenda një jave.

Ministria e financave bëri të ditur që forcat kryesore politike të jenë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve më 19 shkurt-pas miratimit të paketës ndihmëse financiare.

Ndihma e re e Bashkimit Evropian parasheh dhënien e 130 miliardë eurosh si hua dhe mbështetjen e bankave të vendit.

Si një lloj “shpagimi” për këtë, grekët duhet të zbatojnë masa të shtrënguara dhe të ashpra financiare-të papëlqyera në opinionin publik të shtetit.

Kriza e borxheve në Eurozonë thuhet se do të dominojë edhe takimin në mes të drejtores së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristinë Lëgard dhe presidentit rus, Dimitri Medvedev.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan Kremlinin të ketë bërë të ditur se bisedimet e së hënës ndërmjet Lëgard dhe Medvedev do të fokusohen në krizën e borxheve në Evropë dhe në mënyrat për reformimin e sistemit financiar në botë.

Rusia, e cila nuk i ka borxh FMN-së edhe pse është një ndër vendimarrësit kryesorë në këtë organizatë, nuk ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për tejkalimin e krizës së borxheve në Eurozonë.

Në vend të kësaj, Moska ka preferuar të ofrojë ndihmën që do të kalonte përmes FMN-së. (e.p.)
XS
SM
MD
LG