Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Fiaskoja e UNESCO-s


UNESCO - nga një takim në Paris

UNESCO - nga një takim në Paris

"The Wall Street Journal"


“Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të detyruar ta përsërisin atë”, ka thënë filozofi George Santajana. Në rastin e Kombeve të Bashkuara, njerëzit që nuk mund t’i mbajnë në mend poshtërsitë e përsëritura të organizatës, janë të dënuar t’u përkujtohen ato.

Në javën e kaluar ndodhi një deja-vu për ata që përcjellin aktivitetet e Kombeve të Bashkuara kur UNESCO-Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e OKB-së, pranoi autoritetin palestinez si anëtar, edhe pse nuk është shtet dhe rrjedhimisht nuk është as i pranueshëm.

Ligji amerikan parasheh ndërprerjen e të gjitha fondeve për mekanizmat e Kombeve të Bashkuara që pranojnë autoritetin palestinez, andaj taksapaguesit do të kursejnë 80 milionë dollarë në vit duke ia marrë fondet një agjencie e cila për një kohë të gjatë fokusohej më shumë në politikë se sa në misionin e saj.

E themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, UNESCO ka qenë e njohur që nga viti 1970 për Rendin e saj të Ri Informativ në Botë-një varg rekomandimesh me të cilin do të rregullohej më vonë puna e gazetarëve dhe do të legjitimizohej shtypja e lirisë së shprehjes nga qeveritë autoritare.

Kjo është hera e tretë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga UNESCO.

Pak histori mund të ndihmojë-veçanërisht gjatë një jave kur pritet të publikohet raporti i një mekanizmi tjetër të OKB-së, Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, me të cilin do të pranohen apo jo përfundimisht planet sekrete të Iranit për programin e tij bërthamor.

Kolumnisti u njoh me UNESCO-n në fillim të viteve të 80-ta kur burimet brenda institucionit depërtuan te gazetarët. Atëkohë, nuk ishim në gjendje të raportonim, por shumë nga ato burime ishin nga shtetet e bllokut sovjetik.

Madje edhe ato ishin të fyera nga korrupsioni politik e financiar i UNESCO-s dhe nga pranimi i Perëndimit të dobët. Pas një raporti të kësaj gazete mbi auditimin e planifikuar amerikan të trikave në financa, selia e UNESCO-s në Paris u shkatërrua nga një zjarr misterioz.

Ronald Regan bëri që Shtetet e Bashkuara ta braktisin UNESCO-n në vitet e 80-ta. Pasoi largimi edhe nga Britania dhe Singapori, të cilat u kthyen sërish pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Në radhët e “arritjeve” të UNESCO-s: Gjatë Luftës së Ftohtë, zyrtarët rusë udhëhoqën programin për arsim të UNESCO-s dhe një tribunal ushtarak i Afrikës që ishte përgjegjës për ekzekutime merrej me kulturën.

Kur Franca përjashtoi 47 agjentë të KGB-së në vitin 1983, 12 nga ata ishin të angazhuar në UNESCO.

Kur Shtetet e Bashkuara tërhoqën fondet nga UNESCO, lidershipi i saj u kërkoi shteteve ta zgjidhin këtë mungesë dhe morën një donacion të madh nga presidenti i Libisë, Muamer Gadafi.

Më shumë gjëra ndryshuan: Ambasadorja aktuale në UNESCO e Uzbekistanit, një shtet ku shkelja e të drejtave të njeriut është madje më e lartë se ajo e ish-shteteve sovjetike, është Lola Karimova-Tilajeva, vajza e Islam Karimovit.

Së fundi, ajo ishte në lajme për humbjen e aksioneve kundër agjencisë franceze të lajmeve Rue89, e cila vazhdimisht e kishte quajtur diktator babain e saj.

Armiqësia e UNESCO-s ndaj Izraelit daton që nga 1974, kur Organizatës për Lirimin e Palestinës iu dha statusi i vëzhguesit.

Pavarësisht mbrojtjes për monumentet historike, të cilën Izraeli e kishte synuar nga katolikët, myslimanët dhe hebrenjtë, UNESCO-ja akuzoi Izraelin për “ndryshimin e vazhdueshëm të karakteristikave historike në Jerusalem”.

Organizata hoqi dorë nga bojkoti ndaj Izraelit në vitet e 70-ta vetëm pas kërcënimit për tërheqjen e fondeve nga Shtetet e Bashkuara.

UNESCO-ja është një karikaturë e politizuar e agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Tani sytë po shikojnë kah Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, e cila pritet të paralajmërojë se Irani është më afër ndërtimit të kapaciteteve bërthamore.

UNESCO është një përkujtues i besueshëm që dëshmon se ka pak përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e OKB-së. (e.p.)
XS
SM
MD
LG