Ndërlidhjet

Karllosi përsëri në gjykatë


Karllos Çakalli

Karllos Çakalli

Militanti majtist nga Venezuela, i njohur si Karllos Çakalli, është paraqitur në gjykatë në Paris, lidhur me një varg të sulmeve terroriste vdekjeprurëse, në Francë, para afro 30 vitesh.

Marksist – Leninisti radikal 62 vjeçar, ndërlidhja e të cilit me operacionet e nivelit të lartë, e bën atë fytyrë të terrorizmit ndërkombëtar gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta, ishte zënë nga forcat speciale franceze në Sudan, në vitin 1994.

Në vitin 1997, një gjykatë franceze e dënoi atë me burg të përjetshëm për vrasjen e dy agjentëve francezë dhe informatorit libanez, në vitin 1975.

Akuzat e reja janë të lidhura me katër sulme me bomba në Francë, në vitin 1982 dhe 83, nga të cilat 11 vetë u vranë dhe më se 100 të tjerë u plagosën.

Cak i këtyre sulmeve ishin trenat dhe zyra në Paris e gazetës në gjuhën arabe, “Al-Watan Al-Arabi”.

Përgjegjësinë për këto sulme e kishin pretenduar “Miqtë Ndërkombëtar Terroristë të Karllosit” dhe “Organizata e Luftës së Armatosur Arabe”.

Tre ndihmës të Karllosit, dy gjermanë (Krista-Margot Frëhlih dhe Johanes Vajnrih) dhe një palestinez (Ali Kamal al-Isavi), po gjykohen në mungesë lidhur me dyshimet për rolin e tyre në këto sulme.

Prokurorët e akuzojnë Karllosin se këto sulme me bomba i ka ndërmarrë me qëllim që autoriteteve franceze t’u bëjë presion që t’i lirojnë dy bashkëpunëtorë të tij, përfshirë edhe gruan e tij të ardhshme, Magdalena Kop.

Karllosi, që e hedhë poshtë çfarëdo roli në sulme, në gjykatën anti-terror e ka identifikuar vetveten si “revolucionar profesional”.

Jashtë sallës së gjyqit, avokati i disa palëve civile në këtë rast, Francis Szpiner, u tha reporterëve se procesi ishte i rëndësishëm për të treguar se terroristët çdoherë do të zihen.

Ajo që është me rëndësi për viktimat është se kjo është fund i kulturës së mosndëshkimit. Për një kohë të gjatë, njerëzit mendonin se janë mbi ligjin, dhe shkaku ishte se disa shtete i mbronin ata”.

Muri i Berlinit ka rënë dhe një pjesë e terrorizmit ndërkombëtar, që kishte gjetur ndihmë në Lindje, e ka parë vetveten se ka mbetur pa ndihmë. Ajo që ne shohim sot është diçka interesant që po ndodh në botë: më nuk ka strehim për vrasës”, tha avokati Szpiner.

Mbrojtësit, përfshirë edhe avokaten Izabelle Kutant-Pejre, me të cilën u martua në burg në ceremoni islamike, para 10 vitesh, thonë se procesi është i turpshëm, pasi pretendojnë se Karllosit nuk i ishte lejuar qasja në materialet e nevojshme për përgatitje.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet përsëri edhe me një burgim të përjetshëm.

Karllosi që e ka hedhur poshtë çfarëdo roli në këto sulme, prej 18 deri më 27 tetor mbajti grevë urie, në shenjë proteste për vendosje në qeli të burgut, pasi e kishte dhënë një intervistë telefonike për radio stacionin francez, Europe 1.

Në këtë intervistë, ai tha se ishte “në disponim luftarak” derisa po përgatitej për proces dhe përsëriti qëndrimin se nga Sudani ishte rrëmbyer në mënyrë të paligjshme.

Me këtë rast ai theksoi se i vije keq për sakrifikimin e jetës së tij familjare:

Kjo është për keqardhje, megjithëqë është çmim që duhet të paguhet.
Nuk kam mundur t’i rrisë fëmijët e mi, me përjashtim të më të voglit, derisa ai ishte 5-6 vjeçar. Kjo është për keqardhje, megjithëqë është çmim që duhet të paguhet. Unë isha bashkëshort, që mungoja pjesën më të madhe të kohës”, tha Karllosi.

Ai është i lindur në Venezuelë dhe para se të bëhej pjesëtar i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, kishte studiuar në Moskë.

Në vitin 1975, grupi i tij i rrëmbeu 11 ministra të OPEKU-ut (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) në Vjenë dhe Karllosi, në një mënyrë, u bë personalitet i njohur.

Grupi me ministrat e rrëmbyer, u largua me aeroplanin e siguruar nga autoritetet austriake, dhe në Algjeri iu dha azil.

Ai është, po ashtu, i dyshuari kryesor për rrëmbimin palestinez të një aeroplani të Francës, në Ugandë, në vitin 1976, që përfundoi me një ndërhyrje të komandos izraelite.

Karllosi është i dyshuar edhe për përfshirje në sulmin me bombë kundër selisë së Radios Evropa e Lirë, në Munih, në vitin 1981, në të cilin 5 vetë ishin plagosur. Në atë kohë, Karllosi jetonte në Hungari.

Arkivat e policisë sekrete komuniste në këtë vend, pas vitit 1989, indikonin se sulmi me bombë ishte urdhëruar nga lideri rumun, Nikollae Çaushesku.

Pas sulmeve në Francë, Karllosi lëvizi në Siri, ku ishte lejuar të qëndroj deri në Luftën e Gjirit, në vitin 1991.

Ai pastaj gjeti strehim në Sudan, ku përfundimisht u zu me ndihmën e qeverisë së këtij vendi.

I konvertuar në islamizëm, prej se ishte burgosur, Karllosi kishte predikuar “islamin revolucionar”, që është edhe titulli i librit të tij, në të cilin ai e lavdëron liderin e al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili u vra këtë vit.

Në një intervistë me gazetën El Nacional të Venezuelës, para fillimit të procesit të tij në Paris, Karllosi ishte mburrur me më se 100 sulmet, nga të cilat u vranë së paku 2 mijë vetë. Sipas tij, këto sulme ishin bërë nën “koordinimin” e tij.

Procesi në Paris kundër Karllos Çakallit mund të zgjasë gjashtë javë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG