Ndërlidhjet

UNHCR mirëpret marrëveshjen rajonale në Ballkan


Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara mirëpriti një iniciativë të përbashkët të Ballkanit për t’u ofruar ndihmë diku 200 mijë refugjatëve nga luftërat që shkatërruan ish-Jugosllavinë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, dhe homologët e tij nga Bosnja, Kroacia dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen të hënën gjatë një takimi, në të cilin mori pjesë edhe Komisioneri për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Katër shtetet u pajtuan që të ndërmarrin masa për luftimin e problemeve që sfidojnë refugjatët, siç ështe gjetja e shtëpive për diku 74 mijë persona që ende jetojnë përkohësisht në vende të ndryshme.

Më shumë se 15 vjet pas konfliktit në Ballkan, në këtë rajon janë të regjistruar ende mbi 200 mijë refugjatë.

Shtetet që nënshkuran marrëveshjen shpresojnë të ngrisin diku 580 milionë euro në një konferencë të donatorëve në fillim të vitit të ardhshëm për të financuar një program rajonal.

UNHCR-i njoftoi sot se, në rast se realizohet kjo ide, me programin në fjalë do të mbështeten proceset e anëtarësimit në BE për katër palët nënshkruese.
XS
SM
MD
LG