Ndërlidhjet

Bramerc i kërkon llogari Beogradit


Prokurori për Krime lufte i Kombeve të Bashkuara, Serge Bramerc, u tha mediave serbe të martën se do ta shtyjë sërish Beogradin të shpjegojë se si të dyshuarit e fundit të gjykatës kanë mundur të jenë në arrati për një kohë aq të gjatë.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, u pat arrestuar përfundimisht më 26 maj diku pas 16 viteve në arrati, ndërsa dy muaj më vonë autoritetet patën arerstuar dhe transferuar liderin e serbëve në Kroaci, Goran Haxhiqin.

“Siç e kemi theksuar gjithmonë, natyrisht se kemi kërkuar informatat për rrejtin mbështetës të Mladiqit dhe Haxhiqit. Tani, ne duam të dimë se si ka qenë e mundur që ata t’i shmangen drejtësisë për një kohë aq të gjatë”, citon agjencia e lajmeve AFP Bramercin.

Prokurori i tribunalit për krime lufte në ish-Jugosllavi këto komente thuhet se i bëri në një intervistë për të përditshmën serbe, Veçernje Novosti.

Bramerc pritet të arrijë gjatë ditës në Beograd për një vizitë dyditore, gjatë të cilës ai planifikon ta hartojë raportin për Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi bashkëpunimin e Serbisë me tribunalin.

Derisa autoritetet serbe ishin zotuar se do të dëshmojnë vendndodhjen e ish-të arratisurve gjatë kohës kur ata po i iknin drejtësisë, Beogradi pat theksuar gjithashtu se zënia e tyre është çështje e brendshme.

“Se përse nuk është gjetur Mlladiqi gjatë gjithë këtyre viteve është pjesa qendrore e një hetimi të brendshëm”, i tha televizionit B92, ministri serb, Rasim Lajiç, i cili kryeson këshillin e shtetit për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.

“Ne do t’i tregojmë Bramercit se çfarë dimë për momentin dhe se po vazhdon hetimi. Nuk ka nevojë që Bashkësia Ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë”, tha Lajiç.

Shërbimet inteligjente, sipas tij, kanë një pasqyrë të qartë për vendin ku fshihej Mlladiq gjatë vitit 2006 kur, siç thuhet, papritmas humbën çdo lloj gjurme që çonte tek ai.

Gjatë qëndrimit në shtetin serb, Bramerc pritet të takojë Lajiçin, presidentin, Bors Tadiq, dhe prokurorin për krime lufte, Vlladimit Vuksheviq sikurse edhe përfaqësues të mekanizmave të sigurisë.
XS
SM
MD
LG