Ndërlidhjet

Buxheti për shëndetësinë - i pamjaftueshëm për reforma


Qendra Klinike Universitare në Prishtinë.

Qendra Klinike Universitare në Prishtinë.

Buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë do të jetë 129 milionë euro, çfarë paraqet rritje për 12 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Por, megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pranon se shuma e ndarë për sektorin që udhëheq ai, është larg nevojave reale të shëndetësisë.

Zoti Agani thotë se kërkesat për rritje të buxhetit kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ferid Agani

Ferid Agani

“Kemi kërkuar të rritet buxheti, kemi pasur takime me ministrin e Financave... jo vetëm që kemi kërkuar, por edhe kemi argumentuar nevojat e mëdha të sektorit shëndetësor. Por, kemi pasur një shkallë të mirëkuptimit me gjendjen e buxhetit të Kosovës dhe së fundmi jemi pajtuar të kemi një rritje prej 12 për qind”, thotë Agani.

Udhëheqësit e sindikatës shprehen të pakënaqur me sasinë e buxhetit. Blerim Syla, kryetar i sindikatës së shëndetësisë, thotë se me një buxhet pothuajse të njëjtë me vitin paraprak, vështirë se mund të arrihen reformat në këtë fushë.

“Buxheti është katastrofë, ngritja prej 12 për qind është asgjë. Nëse kthehet në të holla, i bie 1 milion euro. Kështu nuk mund të presim ditë të mira në sistemin tonë shëndetësor”, shprehet Syla.

Ai thotë se sindikalistët do të kërkojnë llogari nga organet e larta.

“Si sindikatë, ne do ta ngremë zërin, do të pyesim përse ky buxhet është katastrofal për neve”, thotë Syla.

Të pakënaqur me buxhetin në fjalë janë edhe përfaqësues të opozitës. Dardan Sejdiu, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se rritja prej 12 për qind është më shumë simbolike, sesa që krijon mundësi për përmirësimin e gjendjes aktuale në sistemin shëndetësor.

“Buxheti për vitin 2012, i paraparë për Ministrinë e Shëndetësisë, nuk mjafton për të përmirësuar sistemin shëndetësor. Ligji për sigurime shëndetësore, Ligji për shëndetësinë publike, me një model të mirë të financimit, do të mund të rigjeneronin shëndetësinë kosovare. Por, buxheti, të cilin e kemi tani, është i pamjaftueshëm për të bërë ndryshime. Andaj, mendoj se do të vazhdojë avazi i vjetër”, thotë Sejdiu.

Megjithatë, ministri Agani shprehet optimist se do të gjenden alternativa, me qëllim përmirësimin e gjendjes në sistemin shëndetësor.

“...do të mundohemi të financojmë shërbime më kualitative shëndetësore, duke zbatuar forma të ndryshme të partneritetit publik-privat dhe duke shfrytëzuar në mënyrë më efektive fondet ekzistuese”, zotohet Agani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG