Ndërlidhjet

Irani ka punuar në zhvillimin e armëve bërthamore


Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad gjatë inspektimit të uzinës bërthamore Natanz, e cila gjendet në qendër të Iranit. (Foto nga arkivi)
Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad gjatë inspektimit të uzinës bërthamore Natanz, e cila gjendet në qendër të Iranit. (Foto nga arkivi)
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energji Bërthamore thotë se posedon prova që Irani ka bërë përpjekje të zhvillojë armë bërthamore.

Në raportin e fundit, kreu i agjencisë, Jukia Amano, thotë se institucioni i tij ka informacione, të cilat “tregojnë se Irani ka kryer aktivitete për zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore”.

Ai po ashtu pohon se aktivitetet e lidhura me armë, mund të vazhdojnë ende.

Rapori thotë se, edhe pse disa pjesë të punës së fshehur mund të përdoren për qëllime paqësore – për çfarë këmbëngul edhe vetë Irani – “pjesa tjetër është specifike për armë bërthamore”.

Irani e ka dënuar menjëherë raportin. I dërguari i tij në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Ali Asgar Soltanieh, tha se raporti është “i pabalancuar, joprofesional dhe i motivuar politikisht”.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ka kaluar 10 vjet duke bërë përpjekje për të zbuluar natyrën e vërtetë të programit të fshehtë bërthamor të Iranit, por kjo është hera e parë që ka raportuar prova për aktivitetet bërthamore.

Komuniteti ndërkombëtar ka dyshuar gjatë se Irani bën përpjekje për të zhvilluar armë bërthamore. Andaj edhe OKB-ja ka imponuar katër raunde sanksionesh në vitet e fundit – përpjekje këto të pasuksesshme për të ushtruar presion mbi Teheranin. (v.t.)
XS
SM
MD
LG