Ndërlidhjet

logo-print

Rusia e Gjeorgjia pritet të nënshkruajnë marrëveshjen


Rusia dhe Gjeorgjia sot pritet të nënshkruajnë një marrëveshje që do të hapë rrugën për pranimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, pas 18 vite bisedimesh.

Gjeorgjia e cila bëri një luftë të shkurtër me Rusinë lidhur me Osetinë e Jugut është e vetmja anëtare e OBT-së që ende bllokon hyrjen e Rusisë në këtë organizatë.

Por, një arritje është raportuar javën e kaluar, kur Rusia ra dakord për një propozim zvicran për të zgjidhur çështjet e tregtisë që lidhen me luftën.

Negociatorët gjeorgjian thonë se ata ishin informuar zyrtarisht nga Rusia që ka rënë dakord me propozimin zvicran për kontrolle ndërkombëtare doganore në tregtinë ndërmjet Rusisë dhe rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, dhe se marrëveshja do të nënshkruhet më 9 nëntor në Gjenevë.

Nëse marrëveshja dypalëshe nënshkruhet sot, hyrja e Rusisë në OBT mund të miratohet në konferencën e 15 dhjetorit të ministrave të tregtisë të kësaj organizate në Gjenevë.
XS
SM
MD
LG