Ndërlidhjet

Gazsjellësi “Nord Stream”: Politikë e kolonizimit të fqinjëve rusë


Merkel dhe Medvedev gjatë inaugurimit të pjesës së parë të gëzsjellësit “Nord Stream”.
Merkel dhe Medvedev gjatë inaugurimit të pjesës së parë të gëzsjellësit “Nord Stream”.
Jo të gjithë u gëzuan dhe duartrokitën kur liderët e Evropës Perëndimore dhe presidenti rus, Dimitri Medvedev, inaguruan hapjen e pjesës së parë të gazsjellësit “Nord Stream”.

Kur të jetë kompletuar në fund të vitit të ardhshëm, tubacioni 1,224-kilometërsh do të transportojë 55 miliardë metra kub gaz të Rusisë direkt në tregjet perëndimore për çdo vit. Ai do t’i anashkalojë vendet tranzite si Ukraina dhe Bjellorusia, të cilat përfitojnë nga pagesat e tranzitit.

Analisti bjellorus për çështje të energjisë, Stanisllau Husak, thotë se ndikimi në vendin e tij dhe në Ukrainë, tani mund të jetë shkatërrues.

“Rusisë i duhet ‘Nord Stream’-i për t’i bërë Bjellorusinë dhe Ukrainën koloni të ngjashme me ato të shekullit 18. ‘Nord Stream’ ka për qëllim të zvogëlojë aftësitë e Bjellorusisë dhe të Ukrainës për t’u bërë vërtet të pavarura. Duhet kuptuar se e gjithë kjo bëhet në kuadrin e një politike të vetme – politikës së kolonizimit të këtij rajoni”, thotë Husak.

Por, qëllimi i vërtetë i “Nord Stream”-it ndaj fqinjëve rusë mbetet për t’u parë. Tashmë kur Gjermania dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore kanë nisur të largohen nga energjia bërthamore, për shkak të katastrofës në Fukishima të Japonisë, volumi i kërkesave evropiane për gazin rus do të jetë i vështirë për t’u parashikuar.

Para “Nord Stream”-it, rreth 80 për qind e gazit rus kalonte përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë para se të arrinte në Evropë. Projekti i ri mund t’i japë Moskës fuqi të reja mbi Minskun dhe Kievin.

Kapaciteti i "Nord Stream"-it
Kapaciteti i "Nord Stream"-it
Gjiganti i Rusisë “Gazprom”, i cili siguron gazin për “Nord Stream”-in, ka thënë se do të devijojë rreth 20 për qind të gazit, i cili aktualisht kalon tranzit përmes Ukrainës. Si pasojë e kësaj, Kievi do të humbsaë 700 milionë dollarë në vit.

Por, analisti ukrainas i energjisë, Valentin Zemlianski, mbetet optimist, duke thënë se rruga tranzitore e Ukrainës do të mbetet esenciale, pavarësisht gazsjellësit të ri.

“Ukraina do të mbetet gjithmonë rrugë kryesore, sepse ajo e ka këtë avantazh ndaj të gjitha rrugëve alternative, edhe ndaj Bjellorusisë. Akumulimi nëntokësor i gazit në dimër bën presionin e duhur në sistem, në mënyrë që të jetë në gjendje për të siguruar tranzitin e mëtejshëm në vendet evropiane”, thotë Zemlianski.

Analisti Volodimir Saprikin pajtohet. Sipas tij, marrë parasysh faktin se furnizimet e “Nord Stream”-it janë menduar kryesisht për Gjermaninë, e cila aktualisht furnizohet përmes Bjellorusisë dhe Polonisë, dëmi për Kievin do të jetë minimal.

Se Minsku do ta ndjejë barrën më të madhe, pohon edhe eksperti bjellorus i energjisë, Ales Mek. Ai madje shfaq drojën se Moska do ta shfrytëzojë situatën për të bërë presion ndaj Minskut për t’i shitur asetet ekonomike tek investitorët rusë.

“Humbja e të ardhurave vjetore është një lajm i keq për Minskun, porse humbja e statusit të vendit tranzit është edhe më i keq. Vendi po humb disa nga mundësitë e tij”, thotë Mek.

Por, sipas ekonomistit bjellorus, Siarhej Çali, “Nord Stream” është më shumë çështje politike, sesa ekonomike. Ai argumenton se projekti është më i rrezikshëm për Ukrainën sesa për Bjellorusinë.

“Mendoj se ‘Nord Stream’-i do të jetë kërcënim për Ukrainën dhe jo për Bjellorusinë, sepse Rusia nuk mund të gjejë tranzit më të shkurtër dhe më të lirë sesa përmes Bjellorusisë”, thotë Çali.

Liderët e Gjermanisë dhe të Rusisë, të martën, inauguruan gazsjellësin strategjik në shtratin e Detit Baltik, i cili do të pompojë gazin natyral nga Rusia për në Evropën Perëndimore. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha se me këtë veprim hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit Rusi-BE. (v.t.)
XS
SM
MD
LG