Ndërlidhjet

Irani: Raporti i ANEB-it i pabalancuar dhe i motivuar politikisht


Irani sot e ka hedhur poshtë raportin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), në të cilin thuhet se Teherani ka punuar në teknologjinë e armatimit atomik, duke e e cilësuar atë si “të pabalancuar dhe të motivuar politikisht”.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, në fjalimin e transmetuar në Televizionin shtetëtor, e ka hedhur poshtë raportin dhe ka thënë se programi atomik iranian është paqësor.

“Ne nuk na duhet bomba atomike. Kombi iranian është i mençur. Ai nuk do t’i ndërtoj dy bomba atomike, kur ju i keni 20 mijë koka luftarake. Ky vend do të ndërtoj diçka, që ju nuk do të jeni në gjendje ta kuptoni, e kjo do të jetë moraliteti”, tha Ahmadinexhadi dhe shtoi se Irani “nuk do të lëvizë aspak” nga kërkimet bërthamore civile.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e Kombeve të Bashkuara, duke cituar informacione nga vendet anëtare dhe të tjera, në raportin e publikuar mbrëmë, tha se ka indikacione se Irani ka ndërmarrë teste të rëndësishme për zhvillimin e armatimit atomik.

Bashkimi Evropia ka shprehur shqetësime lidhur me gjetjet e raportit.

Nga ana tjetër, Franca sot ka kërkuar takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të diskutuar sanksionet e mëtejshme kundër Iranit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, deri tash, i ka miratuar katër rezoluta për imponim të sanksioneve kundër Iranit, për refuzimin e ndaljes së pasurimit të uraniumit, proces ky që mund të përdoret në zhvillimin e bombës atomike.
XS
SM
MD
LG