Ndërlidhjet

Berluskoni premton dorëheqjen


Silvio Berluskoni
Silvio Berluskoni

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, u pajtua që të japë dorëheqjen nga posti që mban, por këtë do ta bëjë vetëm pasi parlamenti t’i ketë miratuar masat e shtrënguara financiare të kërkuara nga Bashkimi Evropian me qëllim reduktimin e borxhit të shtetit.

Votimi mbi këto reforma ka gjasa të mbahet gjatë këtij muaji.

Njoftimi u publikua në një deklaratë të lëshuar nga presidenti i Italisë, Xhorxhio Napolitano, i cili u takua me Berluskonin pas votimit parlamentar të së martës.

Deklarata e presidentit italian bëri të ditur se Berluskoni ka treguar “se është i vetëdijshëm për ndikimet e rezultateve të votimit” dhe se ka shfaqur “shqetësimin për nevojën urgjente që të japë përgjigje të menjëhershme për pritjet e partnerëve evropianë”.

Berluskoni më vonë konfirmoi planet në fjalë në një intervistë për televizionin e vet “Canale 5”.

Pas miratimit të këtij ligji financiar, i cili përmban amandamente për të gjitha kërkesat e Evropës, unë do të japë dorëheqje për të lejuar kreut të shtetit t’i hapë konsultimet.

Mendoj se është kruciale t’i jepet përparësi miratimit të atyre masave, andaj vizitova presidentin pas votimit dhe ia shpjegova idenë time për t’i kërkuar opozitës që të mundësojë miratimin e shpejtë të këtyre masave stabilizuese. Pas miratimit të këtij ligji financiar, i cili përmban amandamente për të gjitha kërkesat e Evropës, unë do të japë dorëheqje për të lejuar kreut të shtetit t’i hapë konsultimet”, u shpreh kreu i ekzekutivit italian.

Berluskoni, 75 vjeçar, është nën presion të vazhdueshëm prej javësh, përfshirë skandalet ligjore, ato që flasin për disa afera seksuale, dështimet politike dhe dyshimet në rritje rreth aftësisë së tij për ta udhëhequr Italinë në kohën kur ajo po sfidohet nga borxhi masiv.

Por, kryeministri, i cili ka dominuar politikat italiane për rreth 20 vjet, pat refuzuar t’i përgjigjet thirrjeve të kundërshtarëve të tij për të dhënë dorëheqjen.

Ato thirrje u përsëritën të martën në parlament nga lideri i partisë opozitare, Partisë Demokratike, Pier Luigii Bersani, i cili iu drejtua drejtpërdrejtë Berluskonit.

Nëse ju ka mbetur një fije përgjegjësie karshi Italisë, ju lutem jepni dorëheqje. Ne do t’i marrim përgjegjësitë tona. Për shtetin tonë, ne do t’i marrim përgjegjësitë tona”, tha ai.

Në votimin e djeshëm, parlamenti italian miratoi raportin shtetëror për vitin 2010, por vuri në pah një goditjen e rëndë që pësoi Berluskoni me humbjen e shumicës parlamentare.

Më shumë se gjysma e ligjvënësve abstenuan duke ia pamundësuar qeverisë së qendrës së djathtë të Berluskonit shumicën absolute në asamblenë 630 anëtarëshe.

Në telefonatën e transmetuar në televizion, Berluskoni e cilësoi shtëpinë e ulët të parlamentit të “paralizuar” dhe tha se është jetike t’u tregohet tregjeve se Italia është “serioze” për reformat financiare.

Ai theksoi se opsioni i vetëm ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Ky vendim, megjithatë, i takon presidentit, i cili përmes një deklarate tha se do të “vazhdojë me një vëmendje maksimale traditën e konsultimeve me palët rreth propozimeve të secilës forcë politike”.

Opozita ka akuzuar qeverinë e kryeministrit për mungesë të aftësisë politike për të trajtuar borxhin e shtetit dhe për të rritur të hyrat.

Lideri i Partisë Demokratike Bersani tha se Italia është duke rrezikuar të humbë qasjen në tregjet financiare pas paqartësive politike, të cilat shkaktuan humbjen e përfitimeve në investimet qeveritare.

Analistët thonë se Italia, e cila konsiderohet të jetë tepër e madhe për ta ndihmuar financiarisht, po i afrohet pikës në të cilën vazhdojnë të jenë Greqia, Irlanda dhe Portugalia.

Frika se Roma mund të fillojë të mos jetë në gjendje ta paguajë borxhin e vet ka shkaktuar edhe frikën për mbijetesën e Eurozonës, e cila tashmë është e tensionuar nga kriza e borxheve në Greqi.

Para njoftimit të Berluskonit, Oli Ren - Komisioneri për Ekonomi dhe Çështje Monetare i Bashkimit Evropian, tha se shqetësimet financiare të Italisë e kanë nxitur BE-në të urdhërojë një mision mbikëqyrës, ashtu siç u morën vesh palët në takimin e fundit të G 20-ës.

Situata ekonomike dhe financiare e Italisë është shumë shqetësuese dhe ne duam ta ndihmojmë Italinë përmes mbikëqyrjes sonë rigoroze.

Situata ekonomike dhe financiare e Italisë është shumë shqetësuese dhe ne duam ta ndihmojmë Italinë përmes mbikëqyrjes sonë rigoroze. Andaj ne po dërgojmë një mision në Romë”, theksoi diplomati evropian.

Ren tha gjithashtu se qeverisë i duhet një mbështetje e gjerë e qytetarëve të saj rreth programit për reduktimin e borxheve.

Unë besoj se stabiliteti politik do të riparohet në Itali. Nuk është e dëmshme nëse ka një konsensus të gjerë shoqëror në çdo shoqëri, e cila ballafaqohet me sfida të mëdha-sfida ekonomike, financiare dhe sociale, me të cilat po përballet Italia”, u shpreh Ren.

Mirëpo, kurdo që shkon Berluskoni, nuk ka ndonjë garancë se do të zbatohen shpejt reformat e kërkuara nga BE-ja ose se do të kthehen investitorët.

Akstualisht nuk ka ndonjë marrëveshje në radhët e partive politike as për unitetin kombëtar e as për ndonjë qeveri teknokratike. Konsultimet e presidentit do të jenë të vështira.

Megjithatë, pas paralajmërimit për dorëheqje nga Berluskoni, ka shpresa që lideri i ri të jetë më agresiv në trajtimin e çështjes së borxhit italian.(e.p.)

XS
SM
MD
LG