Ndërlidhjet

logo-print

Opozita (s’) e voton projekt-buxhetin 2012


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Disa parti opozitare në Kuvendin e Kosovës ende nuk kanë ndonjë qëndrim të qartë se a do ta votojnë ose jo projekt-buxhetin për vitin 2012.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti është duke analizuar projekt-buxhetin e miratuar nga ekzekutivi, porse nuk ka ende qëndrim nëse do ta votojë ose jo.

Beqiri konsideron se projekt-buxheti ka mangësi të mëdha, pasi, sipas tij, ky dokument nuk ka elemente të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale.

“Pas analizave që do t’i bëjmë, sigurisht se do të dalim me qëndrimin tonë. Paraprakisht nuk mund të them se cili do të jetë qëndrimi ynë, edhe pse realisht ka vërejtje në këtë buxhet”, thotë Beqiri.

Por, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kanë një qëndrim të qartë. Ata nuk do ta votojnë projekt-buxhetin kurdo që të dalë për diskutim në seancën e Kuvendit të Kosovës, thotë deputeti Visar Ymeri, i cili tregon edhe arsyet e këtij vendimi.
Ky buxhet nuk është në përputhje me interesat dhe nevojat e Kosovës, por duket se është në përputhje me interesat e personave të caktuar në qeveri.

“Ky buxhet nuk është në përputhje me interesat dhe nevojat e Kosovës, por duket se është në përputhje me interesat e personave të caktuar në qeveri - gjë që është e papranueshme për ne”.

“Në formën në të cilën është, buxheti është i papranueshëm për ne dhe nuk mund ta votojmë një të tillë”
, thekson Ymeri.

E pavendosur mbetet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti Ahmet Isufi thotë se partia e tij është në shqyrtim të projekt-buxhetit, tek i cili identifikon “edhe mangësi”.

“Do të shohim nëse do të përfillen vërejtjet dhe sugjerimet tona lidhur me këtë projekt-buxhet, për arsye se ka shumë mangësi”, shprehet Isufi.


Komunat e PDK-së, "përfituese më të mëdha" të buxhetit

Deputetët e partive opozitare flasin edhe për vërejtjet që kanë hasur në projekt-buxhetin e vitit 2012.

Ismet Beqiri, nga LDK-ja, veçon disa:
...jemi të pakënaqur me shpërndarjen e buxhetit nëpër komuna dhe ministri të caktuara.

“Nuk është buxhet zhvillimor që siguron perspektivë zhvillimore. Mbi të gjitha, jemi të pakënaqur me shpërndarjen e buxhetit nëpër komuna dhe ministri të caktuara”.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se projekt-buxheti në fjalë “është në funksion të përfitimeve politike”.

“Buxheti për vitin 2012, i cili është miratuar në qeveri dhe ka ardhur në kuvend, është buxhet i cili më shumë mund të quhet buxhet për përfitime personale të ministrave dhe kryeministrit, sesa buxhet që do të zhvillojë ekonominë e Kosovës dhe jetën shoqërore në përgjithësi”, shprehet deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ahmet Isufi, nga AAK-ja, ka qëndrim të ngjashëm, duke thënë se shpërndarja më e madhe e buxhetit ka shkuar në komunat dhe ministritë që udhëheq partia në pushtet, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës.

“...kemi të bëjmë me ndarjen buxhetore në agjenci të ndryshme, sidomos në komunat prej nga vjen partia në pushtet“, thekson ai.

Sido që të jetë, gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2012 para kabinetit qeveritar, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ky projekt-buxhet që arrin në 1 miliard e 520 milionë euro, siguron zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës.

Buxheti i vitit të ardhshëm shënon rritje prej 7.7 për qind, krahasuar me buxhetin e 2011-ës.

Lexoni edhe këtë:
Shuma e projekteve kapitale, “e fryrë”
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG