Ndërlidhjet

logo-print

Vdes njëri nga serbët e plagosur

  • RFE /RL

Barrikada në urën e Mitrovicës - foto arkivi

Barrikada në urën e Mitrovicës - foto arkivi

Ka ndërruar jetë njëri nga tre serbët, të plagosur mbrëmë gjatë një përleshjeje mes shqiptarëve dhe serbëve në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë.

Lajmin e bëri të ditur, agjencia Associated Press, e cila raporton se i vdekuri është Sava Mojsiq.

Dy të plagosurit tjerë, njëri nga ta polic, thuhet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

*****

Pas një përleshjeje në mes të disa banorëve serbë e shqiptarë në veri të Mitrovicës, konkretisht në Lagjen Kroi Vitakut, janë plagosur tre serbë - njëri nga ta pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Hoti ka thënë se pas incidentit policia ka dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas zyrtarëve policorë, të plagosurit u janë nënshtruar operacioneve kirurgjikale dhe "gjendja shëndetësore e dy prej të plagosurve është më e rëndë".

Hoti ka njoftuar se aktualisht situata është në kontroll dhe se nuk ka pasur reagime për ngjarjen. Ai tha se fokusi i Policisë së Kosovës tani është gjetja e kryesve të krimit.

Gjetjen e të dyshuarve e kanë kërkuar edhe Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, që tashmë kanë dënuar incidentin dhe kanë bërë thirrje për qetësi.

Në reagimin e saj dërguar mediave, presidentja Atifete Jahjaga vlerësoi se "aktet e dhunës janë të patolerueshme dhe të papranueshme që nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në vend".

Presidentja e Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë maturi dhe qetësi dhe që zgjidhjen e të gjitha çështjeve ta bëjnë përmes rrugëve institucionale duke respektuar ligjin.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po ashtu u bën thirrje organeve kompetente të hetojnë rrethanat që çuan te ky incident dhe të ndërmarrin të gjitha masat që autorët e tij të arrestohen dhe nxirren para drejtësisë.

Po përmes një deklarate për media, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër incidentin që ka ndodhur sot në pjesën veriore të Mitrovicës.

"Qeveria fton organet kompetente që t'i ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtij akti të rëndë, të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm, forca paqeruajtëse e NATO-s ka konfirmuar se ka përdorur gazin lotsjellës, në përpjekje për të ndalur dy kamionë, të cilët, siç thuhet, “rrezikonin parametrat e sigurisë së pikës së re të kontrollit” në veri të Kosovës.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë një zonë ushtarake nën mbikëqyrjen e KFOR-it, pas tensioneve që pasuan përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të marrë nën kontroll pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit, më 25 korrik, dhe kundërshtimeve të serbëve lokalë që u manifestuan me ngritjen e barrikadave nëpër rrugë.

Hapat e KFOR-it në mbështetje të lirisë së qarkullimit për EULEX-in pasojnë vendimet e strukturave serbe që në këtë pjesë vetëm KFOR-i mund të lëvizë lirshëm, por jo edhe misioni i BE-së – EULEX. Por, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga KFOR-i.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG