Ndërlidhjet

Ku mbeti kontrata kolektive?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Janë bërë më shumë se gjashtë vjet që kur ka hyrë në fuqi Kontrata Kolektive, por ajo asnjëherë nuk ka arritur të zbatohet në praktikë.

Palët nënshkruese të kësaj kontrate, Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Oda Ekonomike e Kosovës, japin vlerësime të ndryshme lidhur me moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kontrata Kolektive është një akt juridik, formal, i cili rregullon raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit .

Zeneta Daci, nënkryetare në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se Kontrata Kolektive tani është jashtë përdorimit, pasi i ka skaduar afati.

Skadimi i afatit të kësaj kontrate, pa gjetur zbatim në praktikë, sipas Dacit, ka ndodhur për arsye se partneri qeveritar nuk ka arritur të gjejë mjete nga buxheti për ta vënë në përdorim dokumentin në fjalë.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit të punës, Oda Ekonomike e Kosovës obligohet të përgatisë marrëveshje të re kolektive për Këshillin Ekonomiko-Social.

“Oda Ekonomike e Kosovës që pesë muaj ka punuar intensivisht në përpilimin e tekstit të marrëveshjes së përgjithshme kolektive të Kosovës. Ajo e ka diskutuar me anëtarësinë e vet; të gjitha propozimet, vërejtjet, sugjerimet i ka inkorporuar në tekstin e Marrëveshjes Kolektive dhe e kemi dërguar në Këshillin Ekonomiko- Social”, thotë Daci.

Sipas përfaqësuesve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, miratimi i Ligjit të Punës ka humbur kuptimin e Kontratës Kolektive.

Hasan Abazi, nënkryetar në këtë sindikatë, thotë se Kontrata Kolektive është dashur t’i përshtatet Ligjit të Punës dhe bashkërisht të gjejnë zbatim në praktikë.

Abazi thotë se në mungesë të këtij dokumenti, punëtorët po ballafaqohen me probleme të mëdha, sidomos në lidhjen e kontratave me punëdhënësit, pasi, sipas tij, Ligji i punës nuk mund t’i mbulojë të gjitha kërkesat dhe nevojat e punëtorëve.

“Me rastin e lidhjes së marrëdhënieve të punës, punëtorit nuk i jepet kontrata e punës, por lihet për një kohë, e cila është pengesë për stabilitet të punëtorit në vendin e punës”,
thotë Abazi.

Zeneta Daci, nga Oda Ekonomike e Kosovës, flet për rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Kolektive.

“Ligji i punës i ka vetëm 99 nene; është shumë i varfër - po mendoj në aspektin e përfshirjes së problematikës në mes të punëdhënësve dhe të të punësuarve. Marrëveshja Kolektive është një dokument të cilin e nënshkruajnë tre partnerë socialë. Në këtë marrëveshje do të përfshihen edhe ato segmente, të cilat nuk janë në Ligjin e punës”, thotë Daci.

Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pranojnë se në kohën kur është nënshkruar marrëveshja, nuk ka pasur mbështetje politike, pikërisht për shkak të disa dispozitave që kanë qenë vështirë të zbatohen nga punëdhënësit.

Por, sipas tyre, për këtë çështje do të diskutohet në vazhdim, në këshillin social trepalësh.
XS
SM
MD
LG