Ndërlidhjet

logo-print

Gjasat e dialogut në veri


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Veriu i Kosovës ka nevojë për një adresim politik, përfshirë edhe dialogun ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb atje, vlerësuan politikanë dhe analistë kosovarë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, nga Partia Liberale Serbe, e cila është pjesë edhe e Qeverisë së Kosovës, tha se mendon që lënia anash e temës së veriut në dialogun aktual Prishtinë - Beograd, çon në domosdoshmërinë që për problemin e veriut të organizohet një dialog i ri.

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës.

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës.


Miletiq tha se janë katër faktorë, të cilët duhet të përfshihen për zgjidhjen e çështjes së veriut: Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë, bashkësia ndërkombëtare dhe popullata lokale që jeton në veri.

”Ndoshta do të ishte mirë që të organizohet një dialog vetëm për veriun e Kosovës dhe mendoj se duhet menduar për diçka të re në mënyrë që gjendja atje të qetësohet dhe njerëzit të mos humbin jetët e tyre”, tha Petar Miletiq.

Lidhur me idenë e deputetit serb në Kuvendin e Kosovës, foli edhe ish-funksionari i lartë i Kosovës në kohën e komunizmit, Azem Vllasi, tani avokat dhe analist politik.
Vllasi tha se dialogu për veriun mund të thirret, por kërkon që akterë të bisedimeve të jenë Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit serbë të veriut, dhe jo Beogradi. Përfshirja e Beogradit, sipas tij, vetëm mund ta thellojë krizën e problemit.

”Dialog ndërmjet Qeverisë sonë me qytetarët serbë në veri, por jo dialog në trekëndëshin - pushteti i Serbisë, ai i Kosovës dhe serbët lokalë, sepse Qeveria e Beogradit edhe ashtu nuk e ka shumë gajle se si të zgjidhet problemi i qetësimit të qytetarëve atje, por si ta instrumentalizojë atë problem dhe atë pjesë të qytetarëve serbë për qëllimet e veta kundër Kosovës”, theksoi Vllasi.

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, në bazë të Planit të Ahtisarit, sipas të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës, për tre vjet janë në përpjekje të formimit të komunës veriore të Mitrovicës. Mirëpo, serbët lokalë atje nuk pranojnë influencën e institucioneve të Kosovës, ngaqë preferojnë vetëm zgjidhje në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë.

Adrijana Hoxhiq, shefe e ekipit përgatitor komunal për veriun e Mitrovicës, tha se qytetarët duan që të shohin rezultate të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ndonëse, ajo nënvizoi se preferon më shumë që Qeveria e Kosovës të nisë një dialog të drejtpërdrejtë me qytetarët serbë në veri.
Është shumë e nevojshme që të vendoset një dialog i drejtpërdrejtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri...



Është shumë e nevojshme që të vendoset një dialog i drejtpërdrejtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri, ngase një dialog i tillë mund t’i kontribuojë vendosjes së mirëbesimit në veri”, u shpreh Hoxhiq.

Por, përderisa gjendja në veri mbetet e tensionuar dhe me barrikada nëpër rrugë, një mision i tillë i vendosjes së dialogut Qeveri – qytetar i veriut, vlerësohet si një mision mjaft i vështirë nga ana e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.

”Është e vërtetë. Ju kujtohet se edhe më herët e kam thënë që puna më e vështirë për institucionet tona është që të jemi atraktivë për qytetarët tanë serbë atje. Do të punojmë në këtë drejtim, por paraprakisht kërkohet zhbllokimi i asaj pjese të territorit tonë nga zaptuesit”, ritheksoi Kuçi.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës, i banuar nga popullata shumicë serbe, që nga viti 1999 jeton nën organizimin e institucioneve paralele që mbështeten nga Beogradi zyrtar, duke kundërshtuar fillimisht integrimin në sistemin administrues ndërkombëtar, kurse tre vjetët e fundit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kundërshton ashpër sistemin legal e kushtetues të Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG