Ndërlidhjet

Nis gjykimi në rastin "Kleçka"


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të përballen sot me aktakuzën e ngritur nga EULEX-i për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.

Këto vepra supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj tha për Radion Evropa e Lirë se nga trupi gjykues do të kërkojë shtyrjen e procesit edhe për dy muaj të tjerë, pasi që sipas tij, mbrojtja ende nuk ka arritur të marr autopsinë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes se dëshmitarit kyç në këtë proces.

Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të këtij viti.

“Sa i takon këtij dëshmitari, nuk kemi asnjë informacion zyrtar”, ka thënë Rrecaj, duke ngritur edhe çështjen e mungesës së “shumë provave të tjera” dhe sipas tij është e arsyeshme që procesi të shtyhet deri kah fundi i janarit ose në shkurt të vitit të ardhshëm.

Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të këtij viti, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
XS
SM
MD
LG