Ndërlidhjet

Guardian: Eurokriza drejt përshkallëzimit


Bursa në Milano.

Bursa në Milano.

“The Guardian”

Një thirrje e fundit për t’u zgjuar. Një moment i së vërtetës. Një udhëkryq vendimtar. Këtë përshkrim i kanë bërë Eurozonës hartuesi i politikave ekonomike të BE-së, Olli Ren, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, dhe kryeministri i ri grek, Lukas Papademos.

Por, me paralajmërimet e tilla, ajri evropian ka muaj që është trashur. Kriza evropiane, këtë javë, ka arritur në atë pikë ku liderët e kontinentit pranojnë se nëse nuk gjendet një zgjidhje e madhe dhe bindëse brenda ditësh, Eurozona 17-anëtarëshe do të shpërbëhet.

Prova e këtij përshkallëzimi nuk qëndron vetëm në dorëheqjen e Jorgos Papandreut apo Silvio Berluskonit. Ky është një vorbull i madh që mund t’i rrëzojë qeveritë.

Kur një shtet evropian paguan më shumë për të marrë hua sesa një tatim-pagues i zakonshëm për të marrë kredi bankare, qeveria është vetëm disa ditë larg nga thirrjet për përforcime ndërkombëtare.

Këtë javë ka ndodhur hyrja e Italisë në zonën e ndihmës. Të enjten, ajo ka vënë në ankand 5 miliardë euro të bankënotave të një viti, me një normë interesi prej 6.09 për qind - çfarë është më e larta që ka paguar që nga shtatori 1997.

Kjo do të thotë se tregu nuk i beson shumë shtetit italian – me thesarin e tij dhe fuqitë për rritjen e taksave. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e shtrenjë për Romën.

Të enjten është rapotuar se Banka Qendrore Evropiane ka marrë bonot italiane, por kjo masë nuk duket se do të ndihmojë për kohë të gjatë. Kur një qeveri ndodhet në zonën e shpëtimit, nuk ka ndonjë kthim të gatshëm prapa - çfarë mund të pohojnë edhe politikanët e Athinës, Lisbonës dhe Dublinit.

Italia është ekonomia e tretë në Eurozonë dhe ka huazime në vlerë të 120 për qind të të ardhurave kombëtare. Vitin e ardhshëm, ajo duhet të huazojë 365 miliardë euro. Me këto norma interesi, ky borxh bëhet i paqëndrueshëm për Italinë dhe i papërballueshëm për fondin evropian të ndihmës.

Moslikuidimi i tij do të krijojë valë shumë më të mëdha shoku në mbarë sistemin financiar të botës, sesa kolapsi i Lehman-it. E gjithë kjo pa marrë në konsideratë Spanjën dhe Francën, ku normat janë në rritje e sipër.

Thënë hapur, një vazhdim i këtij paniku do të jetë katastrofik për Romën dhe pjesën tjetër të botës.

Në një afat të shkurtër, politikëbërësit e Eurozonës kanë tre opsione kryesore. I pari është të pritet nëse ekonomisti dhe tehnokrati, Mario Monti, në rezidencën qeveritare të Romës do t’i qetësojë nervat.

Por, kjo nuk është edhe aq e drejtë të pritet, meqë financuesit nuk janë të shqetësuar për personelin në krye, as për politikat e një vendi të caktuar, por për fatin e euros.

Mundësi tjetër do të ishte që Eurozona të qëndronte prapa borxheve sovrane të anëtarëve të saj. Por, problemi është se Gjermania dhe disa miq të saj nuk mund të japin para të gatshme, pa u përballur me një reagim të ashpër të votuesve dhe të agjencive të vlerësimit.

Opsioni i tretë është përkushtimi i vërtetë për mbijetesën e Eurozonës. Udhëheqësit e saj kanë një periudhë shumë të shkurtër për të treguar angazhimin real të tyre. (v.t.)
XS
SM
MD
LG