Ndërlidhjet

logo-print
Pas paralajmërimeve të autoriteteve të Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit nëse Qeveria e Maqedonisë nuk merr masa të shpejta në zhbllokimin e importit të miellit duke bllokuar importin e ndonjë prodhimi maqedonas, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, ka theksuar se që në mbledhjen e parë të Qeverisë do ta shtrojë për diskutim këtë çështje - që sa më parë mielli i Kosovës të hyjë në tregun e Maqedonisë.

Valon Saraçini

Valon Saraçini


“Bëhet fjalë për një masë, e cila duhet të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Unë do të angazhohem që në mbledhjen e parë të Qeverisë të jap propozim që sa më shpejt të zhbllokohet kjo masë, me qëllim që të mund të qarkullojnë lirshëm mallrat nga Kosova, përfshirë këtu dhe miellin”, ka deklaruar Saraçini.

Por, kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Mirce Cekrexhi, ka thënë se këtë vendim Qeveria e Maqedonisë e ka marrë me kërkesë të biznesmenëve të vendit, për të mbrojtur prodhimin vendor nga konkurrenca e jashtme.

“Kjo masë është marrë nga ana e Qeverisë, me kërkesë të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, me qëllim që të mbrohet prodhimi vendor i grurit, me atë që për çdo kilogram miell të importuar nga jashtë, fillimisht kompanitë vendore do të duhet të blejnë 3 kilogramë të tjerë nga prodhuesit e vendit”, ka nënvizuar Cekrexhi.

Sipas tij, kjo masë nuk do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënive të mira ekonomike që ka Maqedonia me Kosovën.

“Masa për kushtëzimin e importit të miellit do të ndërpritet shpejt - pra, për disa javë dhe besoj se nuk do të ndikojë në bashkëpunimin e mirë në planin ekonomik që kanë këto dy vende mes vete”, ka shtuar Cekrexhi.

Ndërsa, Jove Kekenovski, ekspert, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për bllokimin e importit të miellit nga të gjitha shtetet, duke përfshirë edhe Kosovën, është i pamenduar mirë, sepse analizat e përfitimit nga ana e Maqedonisë janë njëdimensionale.

“Ky vendim aspak nuk është pragmatik, ngase, sipas të gjitha statistikave dhe raporteve, Maqedonia në eksportin me Kosovën zë vendin e dytë pas Gjermanisë, andaj jo gjithçka duhet peshuar duke fokusuar një interes të caktuar. Në të kundërtën, nëse Kosova vendos masa të reciprocitetit, atëherë Maqedonia do të ngjajë në atë thënien popullore ‘Duke ruajtur vezën, e humbet pulën’”, ka vlerësuar eksperti Kekenovski.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG