Ndërlidhjet

logo-print

Ukrainë: Timoshenko akuzohet për mospagesë të tatimeve


Autoriteti tatimor i Ukrainës thotë se ish kryeministrja, Julia Timoshenko, aktualisht e dënuar me 7 vjet burg për keqpërdorim të pozitës, është akuzuar për mospagesë të taksave, vjedhje dhe për fshehje të të ardhurave në monedhë të jashtme.

Administrata tatimore e shtetit tha se akuzat kanë të bëjnë me veprimtaritë e saj kur ishte shefe e firmës tregtare për gaz të Ukrainës, në vitet e 90-ta.

Timoshenko, e cila aktualisht është në vuajtje të dënimit me burg, i ka dënuar të gjitha akuzat e mëparshme kundër saj, duke thënë se ato reflektojnë hakmarrje politike të udhëhequr nga presidenti Viktor Janukoviq, i cili me diferencë të vogël fitoi kundër saj në zgjedhjet presidenciale, vitin e kaluar.

Avokati i zonjës Timoshenko, Serhju Vllasenko, i ka hedhur poshtë akuzat e reja si të pabaza.

“Evropa dhe e gjithë bota e civilizuar po e ndjekin këtë rast. Në këto kushte, ata po bëjnë torturë. Unë nuk mund ta quaj këtë hetim, pasi ky nuk është hetim. Këto janë aksione me qëllim të shkatërrimit të personit”, tha avokati Vllasenko.
XS
SM
MD
LG