Ndërlidhjet

Serbia privatizon lokale të “Jatex”-it


Beograd
Beograd
Autoritetet kosovare ka kohë që kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në ish-Jugosllavi, por një kërkesë e tillë ende nuk është bërë në mënyrë zyrtare.

Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në republikat e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Po sipas këtij dokumenti, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Gjakova ka 31 objekte afariste në republikat e Ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing- Export” etj.

Por, drejtori komercial i “Jatex”-it, Gazmend Tuzi, thotë se kjo ndërmarrje ka 35 prona jashtë territorit të Kosovës.

Sipas tij, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 24 objekte shitëse, në Bosnjë 6 prona, kurse Mali i Zi posedon 5 objekte të kësaj kompanie.

Tuzi thotë se këto objekte pjesërisht shfrytëzohen nga kompania “Jatex”, ndërsa numri më i madh i tyre është uzurpuar nga persona të caktuar në mënyrë joligjore. Ai thotë se në Serbi, në vitin 2010, disa lokale janë privatizuar nga Agjencia e Privatizimit të Serbisë.

“Pjesërisht i shfrytëzojmë ne si qiradhënës, kurse pjesën tjetër e shfrytëzon Agjencia e Privatizimit të Serbisë. Ajo i ka qitur në shitje dhe janë blerë nga një firmë tjetër”.

“Kjo e fundit po mundohet t’i kthejë në pronën e vet, por ne e kemi paditur në gjykatë. Andaj, prona në Serbi është ende kontestuese”
, thotë Tuzi.

Të gjitha asetet e ndërmarrjes “Jatex” që gjenden jashtë territorit të Kosovës, janë blerë nga të ardhurat e kësaj kompanie, thotë Gazmend Nushi, i cili, para luftës, ka punuar si jurist në këtë ndërmarrje.

Ai konsideron se është e domosdoshme që këto objekte të shfrytëzohen vetëm nga kompania “Jatex” nga Gjakova.

“Është një kapital i konsiderueshëm i lokaleve të vogla afariste, të cilat gjenden në territorin e Serbisë. Të gjitha ato lokale kanë qenë të blera me të ardhurat e vetë kompanisë dhe ato nuk mund t’i tjetërsojë askush tjetër përveç ‘Jatex’-it”, thekson Nushi.

Qeveria e Kosovës - Foto nga arkivi
Qeveria e Kosovës - Foto nga arkivi
Zyrtarë të qeverisë pranojnë se disa republika të ish-Jugosllavisë kanë privatizuar lokalet e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Por, për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Artan Behrami, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se shumë shpejt pritet të fillojnë bisedimet me shtetet ku gjenden pronat kosovare.

“...me shtetet, të cilat tashmë kanë treguar një gatishmëri për të biseduar për këto çështje. Mendoj se gjatë këtij viti ose në fillim të vitit tjetër do të jenë përpjekjet e para për të biseduar me shtetet lidhur me këto prona, sepse, siç e dini, edhe shtetet tjera kanë prona në Kosovë”, thotë Behrami.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se, në bashkëpunim më përfaqësues të Qeverisë kosovare, kanë vizituar vendet ku gjenden këto prona dhe tashmë kanë identifikuar një pjesë të tyre.

Megjithatë, Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, pohon se ky është një proces i vështirë, pasi, sipas tij, autoritetet e Serbisë dhe të Malit të Zi refuzojnë të njohin subjektivitetin e kësaj agjencie.

“Agjencia ka hasur në vështirësi për interesat jolegjitime të institucioneve dhe personave të ndryshëm në republikat ku gjendet pasuria e këtyre ndërmarrjeve, me qëllim të përvetësimit arbitrar të aseteve të këtyre ndërmarrjeve”.

“Agjencia ka dërguar edhe shkresa për opinionin e atjeshëm, duke rikujtuar ata se tendencat për privatizimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë, nuk gëzojnë kurrfarë mbështetjeje nga legjislacioni i Kosovës, por as nga ai ndërkombëtar”
, thotë Kaloshi.

Ekspertët e çështjeve ekonomike u bëjnë thirrje autoriteteve kosovare të kërkojnë në mënyrë urgjente kthimin e aseteve që gjenden në shtete të ndryshme të rajonit.
...zgjidhja e këtyre ndërmarrjeve duhet të bëhet në mënyrë identike siç është bërë në republikat tjera.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e quan problem politik këtë çështje.

“Unë mendoj se zgjidhja e këtyre ndërmarrjeve duhet të bëhet në mënyrë identike siç është bërë në republikat tjera”, thekson Limani.

Sipas dokumentit zyrtar, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 42, 15 në Bosnjë e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.
XS
SM
MD
LG