Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Asnjë pritje nga Qeveria e re greke


Kuvendi i Greqisë

Kuvendi i Greqisë

Askush në Maqedoni nuk pret zhvillime pozitive në raport me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, pas zgjedhjes së qeverisë së re në Athinë.

Madje, pritjet janë negative, për faktin se, sipas ish-ministrit të Jashtëm maqedonas, Sllobodan Çashule, pjesë e qeverisë së re janë edhe partitë nacionaliste, ndërsa vetë kabineti i ri është formuar me kushtëzime dhe presione të shumta.

“Koalicioni i zgjeruar bazohet në marrëveshje, presione dhe kushtëzime nga më të ndryshmet, përfshirë edhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme. Në kushte të këtilla, mendoj se do të jetë shumë e vështirë që Greqia të bëjë lëshime apo të heqë dorë nga qëndrimi i saj shumë i fortë për ndryshimin e emrit tonë”, thotë Çashule.

Edhe Hasan Jashari, profesor universitar dhe anëtar i Grupit XX që merret me çështjet e integrimit, thotë se Maqedonia, për momentin, as që ndodhet në agjendën e politikës greke.

Athinë

Athinë

“Kam një bindje se kjo do ta ngadalësojë procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit, pra do të ketë më tepër impakt negativ sesa pozitiv, sepse çështjet ekonomike janë hedhur në horizontin prioritar për Greqinë. Fundja, për Greqinë nuk është aq e rëndësishme sa është për Maqedoninë zgjidhja e çështjes së emrit”, shprehet Jashari.

Ngjashëm mendon edhe ish-diplomati Risto Nikovski.

“Kjo çështje nuk është më në agjendën e politikës greke. E dyta, asnjë presion apo ndikim ndaj politikës greke nuk është duke u bërë nga vendet tjera për dalje nga kriza. E treta, i gjithë presioni është koncentruar ndaj vendit tonë. Në një situatë të këtillë nuk shoh zgjidhje të problemit”, deklaron Ristovski.

Por, zgjidhje sheh ish-ministri i Jashtëm, Çashule. Ai thotë se rrugëdalja mbetet në respektimin e marrëveshjes së përkohshme mes Shkupit dhe Athinës, të arritur në vitin 1995, me të cilën parashihet anëtarësimi i Maqedonisë në të gjitha organizatat ndërkombëtare me referencën ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Tani është momenti që NATO-ja ta pranojë Maqedoninë në bazë të marrëveshjes së përkohshme, ndërsa Bashkimi Evropian të miratojë vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“Mendoj se tani është momenti që NATO-ja ta pranojë Maqedoninë në bazë të marrëveshjes së përkohshme, ndërsa Bashkimi Evropian të miratojë vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo, edhe për faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të miratojë vendim në favor të marrëveshjes së përkohshme“, thotë Çashule, duke shtuar se krahas këtyre vendimeve, duhet të zhvillohen edhe bisedime për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen e emrit.

Ditë më parë, me variant për zgjidhjen e problemit doli edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki. Duke përmendur rastet me Slloveninë dhe Kroacinë, ai kërkoi nga Bashkimi Evropian rikthimin e metodologjisë së vjetër, me të cilën edhe Maqedonisë do t’i mundësohej çelja e negociatave me BE-në, paralelisht me vazhdimin e përpjekjeve për të kapërcyer dallimet rreth emrit me Greqinë.
XS
SM
MD
LG