Ndërlidhjet

Italia pas Berluskonit


Parlamenti i Italisë gjatë aprovimit final për reformat...
Parlamenti i Italisë gjatë aprovimit final për reformat...
Presidenti i Italisë, Xhorxhio Napolitano, po zhvillon konsultime me forcat kryesore politike të vendit.

Konsultimet vijnë para nominimit të një kandidati për udhëheqjen e kabinetit tranzicional që pason dorëheqjen e kryeministrit, Silvio Berluskoni.

Ish-komisioneri Evropian, Mario Monti, pritet që të udhëheqë një qeveri, qëllimi i së cilës do të jetë nxjerrja e ekonomisë së tretë evropiane nga kriza e borxheve.

Të shtunën mbrëma, italianët festuan nëpër rrugët e Romës pas dorëheqjes së Berluskonit, i cili në muajt e fundit ishte në qendër të kritikave për shkak të gjendjes ekonomike, por edhe lidhur me skandalet seksuale.

Turma e mbledhur në rrugë i bënte pyetje të pakëndshme duke e quajtur atë "kloun".

Berluskoni, siç pat premtuar, dha dorëheqjen pasi ligjvënësit miratuan një sërë masash shtrënguese që synojnë rivendosjen e besimit në aftësinë e tregut të Italisë për të shmangur një katastrofë financiare-si ajo, në të cilën aktualisht po kalojnë Greqia, Irlanda dhe Portugalia.

Berluskoni, 75 vjeç, ka dominuar politikën italiane për 17 vitet e fundit, duke mbajtur postin e kryeministrit për 10 vjet që e bëjnë atë njeriun që qëndroi më gjatë në postin e kryeministrit në Itali pas Luftës së Dytë Botërore.

Viteve të fundit, Berluskoni është përballur me hetime rreth akuzave për korrupsion dhe keqpërdorime seksuale, por rënia e tij ndodhi pasi Italia u vu nën një presion të madh ndërkombëtar rreth veprimeve për financimin e borxhit të saj, si dhe për ta shpëtuar vendin nga kriza.(z.p.)
XS
SM
MD
LG