Ndërlidhjet

Bie numri i investitorëve të huaj


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kriza ekonomike në eurozonë do të ndikojë në rënien e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas tyre, çdo herë në kriza të tilla ekonomike globale, investitorët e huaj kur kanë kriza në vendet e tyre hezitojnë të investojnë jashtë vendit të tyre.

Analisti i çështjeve ekonomike Alban Zogaj thotë për Radion Evropa e Lirë se krizat financiare evropiane dhe botore do të ndikojnë padyshim edhe në ekonominë e Kosovës.
Efektet e para i kemi parë në zvogëlimin e nivelit të investimeve të jashtme direkte.

Efektet e para i kemi parë në zvogëlimin e nivelit të investimeve të jashtme direkte. Ne vazhdimisht deklarojmë që investimet e jashtme janë ilaç për ekonominë e Kosovës, pasi që në brenda Kosovës nuk kemi kapacitete financiare për investime, duhet të thërrasim investitorët e jashtëm në mënyrë që të hapin vende të reja të punës, ta rrisin prodhimin, eksportit nga Kosova në vendet tjera, ta përmirësojnë këtë deficit negativ tregtar. Dhe kjo thirrje në raste të krizës ekonomike globale financiare has në vesh të shurdhër”, thotë ai.

Zogaj kujton vitet 2008- 2009, kur Kosova ishte prekur nga kriza ekonomike globale e asaj kohe.

Ai thotë se edhe në atë kohë ishte vërejtur që investimet e huaja kishin pësuar rënie.

Investitorët e jashtëm kur kanë krizë në vendet aty ku veprojnë, janë shumë të ngurtë në aspektin e investimeve jashtë vendit, për shkak se iu bie fitimi, iu bie qarkullimi janë më shumë konservativë. Dhe kjo është vërejtur në krizën e vitit 2008, kur investimet direkte ranë, edhe ashtu janë në nivele të ulëta, por kishin shënuar rënie për shkak të krizës ekonomike globale”, shprehet Zogaj.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro, në 2008, vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro, në 2009-ën investimet ishin 310 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar investimet kanë rënë në 265 milionë euro.

Edhe Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë nga vendet e eurozonës, të cilat janë në krizë ekonomike, do të mungojnë.

Sa i përket investimeve të huaja potenciale në Kosovë, besoj se gjithsesi që kriza që i ka kapluar disa shtete brenda Bashkimit Evropian do të ndikojë në sjelljen e investimeve të huaja direkte në Kosovë”, thekson Zeka.

Ai thotë se investimet ndërkombëtare të drejtpërdrejta në Kosovë, viteve të fundit kanë shënuar rënie të vazhdueshme dhe kjo rënie pritet të ndodhë edhe në vitin e ardhshëm.

Duke e pasur parasysh që çdo kund tjetër nëpër botë, anë e kënd globit, janë pakësuar investimet e huaja direkte për shkak të krizës ekonomike globale, atëherë që edhe e njëjta ka ndodhur edhe në Kosovë. Një stagnim i tillë pritet të ndodhë edhe në këtë vitit dhe vitin e ardhshëm, kur pritet që kriza ekonomike globale të thellohet edhe më tej”, bën të ditur Zeka.

Ndryshe, investimet ndërkombëtare në Kosovë ishin konsideruar se mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Mirëpo, edhe në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare thuhet se në vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG