Ndërlidhjet

Maqedoni: Nuk zgjidhet statusi për UÇK-në


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Besim Hoda, thekson se partia politike shqiptare në pushtet, BDI, nuk ka kapacitet dhe as vullnet politik që ta zgjidhë statusin e invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të ish UÇK-së.

Hoda thotë se partitë politike shqiptare pa përjashtim, keqpërdorin këtë kategori për interesa të ngushta politike.

Ai shpreh keqardhje se ndryshe nga premtimet parazgjedhore të BDI-së, se ne 100 ditët e para do te mbyllet kjo çështje, nuk është bere asgjë në këtë drejtim.

Fatkeqësisht mosqasja serioze e politikanëve bën që ky problem vetëm të përcillet vit pas viti...
Fatkeqësisht mosqasja serioze e politikanëve bën që ky problem vetëm të përcillet vit pas viti, duke u përdorur në vazhdimësi në disa procese zgjedhore nga subjektet politike shqiptare, si një “letër” për të fituar besimin e elektoratit dhe menjëherë pastaj duke u harruar në vazhdimësi. Kështu që mbetet hapur një plagë e rëndë e shoqërisë për të cilën nuk janë të interesuar asnjëra nga partnerët e koalicionit që të zgjidhet”, shprehet Hoda.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet partia politike shqiptare në pushtet BDI. Në reagimin me shkrim të BDI-së thuhet se: “Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë të integruar si pjesë aktive e angazhimit politik të Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe janë pjesë e politikës aktive shtetërore, duke filluar nga qeveria deri tek institucionet shtetërore. Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se mbetet i përkushtuar për zgjidhjen e çështjes së fundit formale e juridike”.

Ndërkohë, Etem Aziri, sociolog nga Universiteti i Evropës Juglindorë në Tetovë vlerëson se moszgjidhja e drejtë në korniza institucionale e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, flet qartë se edhe më tej është evidente mos barazia mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni, kur bëhet fjalë për përkujdesjen institucionale.

Fëmijët e atyre që kanë rënë dëshmorë nuk janë fajtorë për asgjë, ndërkohë që sa më shumë zvarritet ky proces, përjetojnë trauma, gjersa trajtohen si të tillë, që shoqëria dhe shteti të cilit i përkasin nuk mbajnë llogari”, thotë Aziri.

Ndryshe, partia shqiptare në pushtet, disa herë ka theksuar se është angazhuar grupe punuese për të gjetur një modalitet që zgjidhja e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së të mbyllet në kuadër të ligjit aktual që mbron të drejtat e invalidëve dhe të rënëve të forcave të sigurimit.

Por, edhe pas një dekade të plotë pas miratimit të dokumentit kornizë të Ohrit, kjo çështje ende është e hapur.
XS
SM
MD
LG