Ndërlidhjet

NYT: Euros po i ikën koha


Një monedhë e euros duke u shkrirë...

Një monedhë e euros duke u shkrirë...

"The New York Times"

Dritarja e mundësive për shpëtimin e euros po mbyllet shpejt, derisa kriza e borxheve e shteteve po shkatërron aftësinë e pagesës së bankave evropiane dhe po rrit normat e huamarrjes madje edhe për shtetet e fuqishme si Franca.

Të shtunën, kriza rrëzoi liderin e dytë, kur kryeministri, Silvio Berluskoni dha dorëheqjen pas 17 viteve të dominimit në politikat italiane duke u hapur rrugën talljeve dhe gëzimit të turmave në Romë.

Sikruse në Itali ashtu dhe në Greqi parlamentet e çrregulluara u mblodhën urgjentisht për të instaluar qeveritë më teknokratike-të përkushtuara në zbatimin e reformave dhe masave të komplikuara financiare të kërkuara nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Pavarësisht këtyre hapave drastikë dhe të qartë, ekziston një bartës i problemeve që mund të trondiste shpejt përparimin e Evropës.

Mbi diskutimet për reforma dhe mekanizmat financiarë po rritet ngadalësimi i përmirësimit të “anemisë” së kontinentit në normën e rritjes drejt 0.5 për qindëshit për vitin 2012 e madje edhe kërcënimi për një recesion të dytë, vlerësoi Komisioni Evropian në parashikimin e fundit për gjendjen e Eurozonës.

Kjo vë në pikëpyetje mjaftueshmërinë e përpjekjeve të fundit të Eurozonës për qetësimin e tregjeve, përpjekjen për të rritur fondin e Institucionit Evropian për Stabilitet Financiar nga 605 milionë euro në 1.4 trilionë euro ose për të gjetur fonde të reja.

Kjo detyrë do të jetë më e vështirë në një ambient recesionit, veçanërisht kur ka filluar të zbehet besimi i Francës ndaj investitorëve.

“Mendoj se jemi në një territor shumë të rrezikshëm dhe Eurozona duhet të veprojë së shpejti”, tha Sajmën Tilford, ekonomist udhëheqës në Qendrën për Reforma Evropiane në Londër.

“Në fakt, nuk ka ndonjë zgjidhje mesatare për momentin. Ata që mendojnë se është e mundshme për jugun dhe Italinë të mos i plotësojnë zotimet e veta ose të ulin çmimet në garën konkurruese janë të çuditshëm dhe po flasin kundër dëshmive”, u shpreh ai.

“Dëmi që mund të shkaktohet”, tha ai “është potencialisht i ashpër për ekonomitë, barrën e borxheve, stabilitetin social e politik, përgjegjësinë demokratike dhe besimin e tyre në aleatët evropian dhe në vet Bashkimin Evropian.

Në qendër të krejt kësaj qëndron Gjermania si udhëheqëse e bllokut verior të shteteve evropiane, i cili përfshin Holandën dhe Finlandën që vazhdojnë të insistojnë se vazhdimi i masave të shtrënguara financiare dhe korrektësia fiskale e borxhlinjve është e vetmja zgjidhje.

Çfarëdo propozimi për të ndarë barrën me shtetet e zhytura në borxhe duke mbledhur borxhin evropian-edhe pse përmes konsumit të eksportit u është ndihmuar shteteve veriore në Evropë, janë hedhur poshtë kryesisht për shkak të frikës së madhe për një lëkundje politike.

Kur këshilli i pavarur i ekspertëve ekonomikë të Gjermanisë i propozoi kancelares, Angela Merkel, një mundësi për ndarjen e borxhit evropian në mënyrë që të mbrohen Italia dhe Spanja, ajo hodhi poshtë këtë ide duke e cilësuar të pamundshme për shkak të traktateve evropiane. Ajo gjithashtu kundërshtoi çfarëdo zgjerimi të rolit të Bankës Qendrore Evropiane në blerjen e obligacioneve të shteteve në borxh, që do të mund të mbanin në nivel të ulët normat e interesit për borxhet e tyre duke ia mundësuar kësaj banke të japë garanci për borxhin italian.

Por, kritikët thonë se nuk ka kohë për ndryshimin e traktateve për të cilët flet Merkel, meqë ndryshime të tilla do të merrnin vite për t’u zbatuar.

“Kriza duhet të zgjidhet tani dhe ajo nuk do të presë që këto instrumente ta rregullojnë atë”, tha Bernhard Rrapkaj, kreu i social-demokratëve gjermanë në Parlamentin Evropian.

Dobësia e Italisë-ekonomisë së tretë në Eurozonë, solli krizën në qendër të Eurozonës. Pavarësisht spekulimeve për braktisjen e Euros nga shtetet më të dobëta, kjo valutë e përbashkët nuk do të mund të mbijetonte pa Italinë.

Nëse huamarrja bëhet aq e shtrenjtë sa që shkakton largimin e saj nga tregjet, nuk ekziston asnjë i ashtuquajtur mur i parave që do të ishte në gjendje ta ndihmojë ose të garantojë pagimin e borxhit të saj 2.6 trilionë eurosh.

“Kemi hyrë në një skenar të llojit ‘ose bëje-ose dëmtoje”, tha Tomas Klau, kreu i zyrës së Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris.

“Situata aktuale në Itali vazhdon të jetë e qëndrueshme për disa ditë, ndoshta jave, por jo dhe muaj. Ky kapitull i ri shënon ose shkatërrimin e Eurozonës, ose një integrim më të madh politik e ekonomik se sa që ka ndodhur deri më tani”, u shpreh ai.

Sulmet spekulative, pa ndonjë fije dyshimi, po afrohen në qendër të Bashkimit Evropian. Greqia po tundet, Italia po lëkundet dhe Franca ka nisur të dridhet.

Pasiguria e situatës u bë tërësisht e dukshme të enjten kur agjencia e njohur Standard & Poor’s gabimisht sugjeroi në faqen e saj të internetit se ka ulur vlerësimin e saj AAA për Francën pas shitjes së obligacioneve qeveritare të këtij shteti.

Ky gabim u përmirësua shpejt dhe francezët e inatosur nisën një hetim formal. Kjo episodë vuri në pah se sa e vogël është margjina për dështim madje edhe për Francën, e cila tashmë është duke vuajtur pasojat e rënies së prodhimeve industriale dhe e cila u bë dëshmitare e rritjes së dallimit ndërmjet normës së obligacioneve të saja dhe atyre të Gjermanisë në nivele rekorde.

Por, mund të bëhet akoma më keq me paraqitjen e një recesioni përderisa, natyrisht, kriza nuk ka shtyrë mendjet e atyre në Berlin të përqendrohen në mënyrë efikase.

Një nga mënyrat më të efektshme për të luftuar krizën dhe rrëzimin potencial, sipas ekspertëve, do të ishte që Bankës Qendrore Evropiane t’i mundësohet të veprojë si huadhënëse ose, të paktën, ta ketë mundësinë që të shtypë para si përpjekje për krijimin e një mini-inflacioni që do të shërbente si recetë për rritje ekonomike dhe reduktim të borxhit.

“E kuptoj që gjermanët janë të fiksuar me inflacionin, por ky fikësim po dobësohet dukshëm”, tha Jan Tehau, një gjerman që është drejtor i Carnegie’s Evropiane në Bruksel.

“Ngurrimi për të përdorur Bankën Qendrore Evropiane si huadhënës të fundit kur Italia ka aftësi pagimi është një gjë që s’e kuptoj”, theksoi ai.

Pjesërisht, ky është rezultat i fuqisë së pazakonshme ekonomike të Gjermanisë në kohën e krizës. Në disa vitet e fundit, ajo është bërë më e fuqishme-me eksporte më të mëdha, rritje të punësimit, një shpërthim të papritur në të ardhurat nga taksat, përderisa të tjerët në Evropë kanë ngecur.

Grupe të ndryshme tregtare kanë shtyrë Merkelin të bëjë çmos për ta shpëtuar Euron, gjë që ishte një lehtësi për eksportuesit duke u mundësuar atyre të shesin produktet me një valutë të dobësuar nga anëtarët e saj më të pafuqishëm.

“Populli gjerman nuk e kupton se çfarë po ndodhë në të vërtetë, ndërsa është shumë skeptik lidhur me masat financiare”, tha Anton Bërner, presidenti i Federatës Gjermane të Shërbimeve dhe Tregtisë me Shumicë.

Gjermania është përpjekur maksimalisht për shpëtimin e Euros-për pamundësinë që të dështojë Greqia apo përdorimi i obligacioneve sovrane të Bankës Qendrore Evropian, ndërsa e ka qëndruar stoike në kohën e ballafaqimit me katastrofat eventuale. Ngadalësimi i pashmangshëm pritet të ftohë edhe rritjen ekonomike të Gjermanisë.

E ardhmja nuk është plotësisht e zymtë. Me të marrë frenat në Bankën Qendrore Evropiane këtë muaj, Mario Dragi, shkurtoi normat e interesit në një të katërtën e përqindjes, që mund të ndihmojë normat e rritjes. Gjermanët së fundit janë dukur më të hapur ndaj zgjerimit të garancave për borxhe në shkëmbim të premtimit për më shumë stabilitet.

“Bindja për seriozitetin e krizës ka arritur në një nivel të ri-gjë që është pozitive”, tha Janis Emanuilidis, analist i lartë në Qendrën Evropiane për Politika.

“Kurdo që e godet murin, del diçka”, tha ai.

Banka Qendrore Evropiane do të duhet të luajë një rol më aktiv në përkrahjen e shteteve të zhytura në borxh të Eurozonës ose shtetet duhet t’i binden më shumë një sistemi federal-diçka e ngjashme me Departamentin e Thesarit dhe një banke të vërtetë qendrore. Nëse jo, shkatërrimi i Eurozonës si pasojë e braktisjes së saj nga disa shtete, do të jetë i pashmangshëm.

Diskutimet po shkaktojnë një ankth brenda Bashkimit Evropian, veçanërisht në mesin e 10 shteteve anëtare që nuk e përdorin Euron e që i frikësohen një Evrope në “dy linja”- të ndarë në dy blloqe të ndryshme, me rregulla të ndryshme që janë kundër interesave të tyre. Disa shtete brenda Eurozonës u frikësohen gjithashtu ndryshimeve të tilla, sepse ato do të kërkonin me shumë rigorozitet dhe disiplinë.

Opsionet janë politikisht të vështira, tha zoti Klau nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Por, alternativa është potencialisht aq shkatërruese sa që kostoja e veprimit-sado e madhe që të jetë, është shumë më e vogël se sa kostoja e mosveprimit, meqë mosveprimi mund të shkaktojë një varg ngjarjesh të cilat liderët evropianë nuk do të jenë në gjendje t’i kontrollojë”, theksoi ai. (e.p.)
XS
SM
MD
LG