Ndërlidhjet

Veriu i qetë, por me tensione


Mitrovica
Mitrovica
Pas incidentit të fundit në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Kosovës, ku u vra një dhe u plagosën dy banorë serbë, situata e sigurisë në këtë lagje vazhdon të jetë e tensionuar, thonë banorët shqiptarë.

Njëri nga banorët e lagjes së Kroit të Vitakut, Erzen Vitaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se siguria në lagjen e tyre është e nivelit shumë të ulët dhe, siç shprehet ai, gjendja në çast mund të përkeqësohet edhe më shumë.

“Situata është e tensionuar dhe ajo mund të përkeqësohet edhe më shumë. Për një moment ajo mund të vlojë. Siguria është zero. Sa u takon institucioneve, siguri s’ka. Vetë banorët duhet t’i sigurojnë siguri vetes. Policët që janë atje, janë policë të MUP-it. Ne faktikisht nga ta as nuk kërkojmë ndihmë dhe nuk ka kurrfarë sigurie nga ta”, thotë Vitaku, duke treguar se në njërën nga shtëpitë e të afërmve të tij, të mërkurën, kishte ndodhur incidenti ku u plagosën 2 persona dhe një u vra, derisa kishin tentuar të plaçkitnin gjësende të ndryshme.

Ndërkaq, banori tjetër i kësaj lagjeje, Ahmet Rama, tregon se në lagjen e tyre janë rritur masat e sigurisë.

“Për momentin nuk ka tensione ndëretnike. Vërehet një prani pak më e shtuar e policisë sonë. Gjithashtu pjesa e EULEX-it dhe xhandarmërisë janë poshtë tek ura në Suhodoll në gjendje gatishmërie, mirëpo në atë pjesë janë vetëm dy patrulla të policisë, të cilat janë të përhershme - njëra është në pjesën ku janë serbët, kurse tjetra është në pjesën ku janë shqiptarët”, bën të ditur Rama.

Sido që të jetë, për shkak të barrikadave në rrugë, banorët e kësaj ane vazhdojnë të lëvizin nëpër rrugë alternative.

“Ne, në këtë pjesën prej Suhodollit, lëvizim lirshëm pa asnjë problem, edhe pse nuk është kjo rrugë e jona, por kjo është rrugë alternative, në pamundësi për të lëvizur nga pjesa tjetër e qytetit”, tregon Ahmet Rama.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Nga ana tjetër, situatën e sigurisë në veri të Kosovës, autoritetet e rendit e vlerësojnë si të qetë dhe thonë se orëve të fundit nuk ka pasur incidente.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se pas vrasjes së një serbi dhe plagosjes së dy të tjerëve në lagjen Kroi i Vitakut, gjendja është e qetë, por e brishtë.

“Situata e përgjithshme e sigurisë vazhdon të jetë e qetë, marrë parasysh faktin që incidenti i fundit në lagjen Kroi i Vitakut nuk ka reflektuar në zonat tjera. Normalisht, vazhdon të jetë një situatë e brishtë, marrë parasysh faktin që gjithmonë ekziston një mundësi potenciale për një incident të radhës. Ne jemi shumë afër me të gjithë banorët me qëllim që t’i zbusim këto tensione dhe të ulim mundësinë e ndonjë incidenti më madhor”, deklaron Hoti.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë një zonë ushtarake nën mbikëqyrjen e KFOR-it, pas tensioneve që pasuan përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të marrë nën kontroll Pikat një dhe 31 në kufi me Serbinë.

Pas këtyre përpjekjeve të autoriteteve kosovare, serbët lokalë, nën drejtimin e përfaqësuesve politikë të këtij komuniteti, si formë kundërshtimi për vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë, vendosën barrikada në rrugët kryesore veri.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se barrikadat vazhdojnë të jenë të pranishme në disa rrugë të veriut të vendit, të cilat ruhen nga një numër simbolik i banorëve lokalë të asaj ane, pas uljes së temperaturave.

Kurse, përfaqësuesit e forcave paqeruajtëse thonë se situata në veri është e qetë.

Situata në veri të Kosovës, sikurse edhe në pjesët e tjera të vendit, është e qetë dhe paqësore dhe nuk kemi nevojë të ankohemi”, njofton Uve Novicki, shef i zyrës për informim të KFOR-it.
XS
SM
MD
LG