Ndërlidhjet

logo-print
Njëri ndër avokatët e pavarësisë së Kosovës në SHBA, kongresisti Eliot Engel, sërish ngre zërin për shtetin e ri, por në këtë rast për veriun e tij, i cili vazhdon të prodhojë tensione dhe të jetë i pakontrollueshëm nga Qeveria e Prishtinës.

Kongresisti që merret me çështjen e Kosovës, për më shumë se 20 vjet, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta zgjidhë sa më shpejt problemin e veriut, për të shmangur më të keqen.

“Mendoj se situata në veri duhet të adresohet shpejt. Sa më gjatë që nuk merremi me problemin, aq më keq do të bëhet në të ardhmen. Është një problem që duhet zgjidhur, sepse po qe se nuk zgjidhet, do të kemi ndarjen de facto të Kosovës. Nëse Qeveria në Prishtinë nuk mund të ushtrojë të drejtën për të kontrolluar mbi një pjesë të Kosovës, atëherë kemi telashe. Nëse kemi institucionet paralele që e sfidojnë sundimin e ligjit, atëherë kemi telashe”.

Nëse ka elemente kriminele që lejohen të bëjnë çfarëdo që të duan pa u ndëshkuar, që bëjnë para në mënyrë të paligjshme, që kërcënojnë njerëzit; nëse kemi bandat që vijnë nga Serbia në veri të Mitrovicës dhe kjo tolerohet, atëherë mendoj se përkushtimi që i qe bërë Kosovës kur u pavarësua dhe kur përfundimisht u fuqizua Kushtetuta, nuk u përmbush”, tha kongresisti Eliot Engel, në një ligjëratë të mbajtur para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Kritikat më të mëdha për gjendjen në veri, ku tensionet janë ngritur më shumë pas aksionit të Prishtinës për të kthyer kontrollin në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kongresisti Engel i drejtoi kah komuniteti ndërkombëtar. Në këtë kuadër, ai kërkoi që pavarësisë së mbikëqyrur t’i vijë fundi.
Mendoj se është koha që demokracia e mbikëqyrur, pavarësia e mbikëqyrur të përfundojë.



Mendoj se është koha që demokracia e mbikëqyrur, pavarësia e mbikëqyrur të përfundojë. Mbikëqyrja duhet të përfundojë. Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë. Nuk mendoj se një shtet i lirë dhe i pavarur duhet të tolerojë një situatë kur një pjesë e vendit është e okupuar".

"Prandaj, mendoj se problemi në veri duhet të zgjidhet shpejt, dhe të mos lihet për më vonë, sepse nëse e neglizhojmë dhe e lejojmë që të vazhdojë në këtë mënyrë siç është, nuk do të sjellë asnjë të mirë, nuk do të pastrohet vetë mrekullisht“, theksoi kongresisti amerikan, i cili u shpreh skeptik ndaj veprimeve të Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht të misionit për sundimin e ligjit, EULEX.

“Ajo që po ndodh me Evropën është se ata po mundohen të gjejnë rrugën më të lehtë. Ata nuk duan të përkushtohen për këto gjëra. Dhe, që nga pavarësia, pothuaj katër vjet, ata kanë rënë në një gjendje ku është më lehë që të mos konfrontohen me serbët, ku është më lehtë që të mos konfrontohet gjendja e paligjshme, është më lehtë që të ketë një lloj status quo-je dhe një lloj shprese që gjërat të qetësohen vetë. Unë mendoj se duhet bërë e kundërta. Kjo gjendje duhet të ndryshojë”, u shpreh kongresisti Engel, i cili njihet si mik i madh i shqiptarëve.

Barrikadë në veri të Kosovës...

Barrikadë në veri të Kosovës...

​Ai u shpjegoi studentëve se si kongresist, vazhdon të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kongresisti amerikan vuri në pah se shteti i ri po vazhdon të bllokohet në shumë anë nga Serbia, dhe për këtë arsye bëri thirrje që Beogradit të mos i jepet drita jeshile për anëtarësim në BE para Kosovës, union ky 27 anëtarësh, që vazhdon të mos ketë një qëndrim unik ndaj procesit integrues të Kosovës për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga 5 vendet anëtare.

Nuk dua që Serbia të bëhet anëtare e BE-së dhe kur Kosova të dëshirojë hyrjen në union, Serbia ta bllokojë. Do të isha që Serbia të jetë pjesë e BE-së, por atëherë kur në të njëjtën kohë do t’i lejohej edhe Kosovës që t’i bashkohej BE-së. Nuk mendoj se Serbia duhet të bëhet anëtare e BE-së para Kosovës, sepse do të bëjë atë që po e bën në OKB - do ta bllokojë Kosovën”, tha Engel, i cili porositi kosovarët që të punojnë më shumë në çrrënjosjen e fenomeneve negative siç është korrupsioni.

Një mesazh për qeveri atë qëndrueshme dhe drejtësi të pavarur e dha edhe kongresisti tjetër amerikan, Geri Piters. Ai tha se tërheqja e investitorëve nuk mund të bëhet në një vend ku nuk sundon ligji.
Investitorët do të investonin në një shtet që është i sigurt...



“Mendoj se çështja më e rëndësishme, sfida më e madhe për të tërhequr investime në Kosovë, aktualisht gjendet te frika nëse shteti është mjaft i qëndrueshëm për investitorët, përfshirë këtu edhe ata amerikanë. Investitorët do të investonin në një shtet që është i sigurt, që ka qeveri të qëndrueshme, ku sundon ligji, ku sistemi gjyqësor është i pavarur dhe korrekt. Mendoj se duhet bërë më shumë në këtë drejtim”, nënvizoi kongresisti Piters.

Që të dy kongresistët amerikanë premtuan se do të jenë zëri i Kosovën në Kongres. Ata thanë se do të kërkojnë nga Qeveria amerikanë që të vazhdojë përkushtimin për Kosovën, në veçanti në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për të shmangur spastrimin etnik të shqiptarëve nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Po ashtu, SHBA-të kanë qenë mbështetëset më të mëdha të pavarësisë dhe të parat që kanë njohur shtetin e ri në shkurt të 2008-s.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG