Ndërlidhjet

Mosveprimi i BE-së sjell pasoja


Flamuri i Kosovës dhe i BE-së
Flamuri i Kosovës dhe i BE-së
Përmendja e veriut në Raportin e Progresit nga ana e Komisionit Evropian, ngjalli shpresat te kosovarët se BE-ja po synon veprime konkrete për këtë pjesë, që është shndërruar në lajm kryesor në muajt e fundit për shkak të barrikadave rrugore të vendosura nga serbët.

Por, megjithëse Komisioni Evropian kërkoi agjendë gjithëpërfshirëse për veriun, nuk duket të ketë lëvizje në hartimin e saj as nga Prishtina, por as nga Brukseli.

E gjendja në veri mbetet pezull, ku serbët lejojnë liri të pjesshme lëvizjeje vetëm për misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it, por jo edhe për misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX-in e institucionet kosovare.

Këshilltari i presidentes, Ilir Deda thotë se veriu kërkon zgjidhje të shpejtë, përndryshe do të ketë pasoja.

Ne nuk kemi shumë kohë si Kosovë, më së largu mund të jetë gjysma e vitit të ardhshëm, deri kur duhet të ketë lëvizje në veri. Përndryshe të gjithë do të lodhen me këtë situatë çfarë është tash dhe atëherë bashkësia ndërkombëtare do të dalë me opsione të ndryshme për statusin e veriut, që do kishin pasoja katastrofale për Kosovën dhe stabilitetin e saj”, tha Deda për Radion Evropa e Lirë.

Një ditë më parë, gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresisti amerikan, Eliot Engel drejtoi kritika të ashpra për BE-në, për shkak të asaj që ai e quajti neglizhencë në zgjidhjen e çështjes së veriut. Ai tha se po që se nuk veprohet tash, veriu ka rrezik të shkojë drejt ndarjes.

Ilir Deda po ashtu thotë se BE-ja nuk ka arritur që të zbatojë mandatin e misionit që ka dërguar në Kosovë.

Fatkeqësisht BE nuk ka marrë përgjegjësi nëpërmjet misionit të vet, EULEX-it në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. E çka është jashtëzakonisht brengosëse, është informata që erdhi nga ish kryeprokurori i EULEX-it, i cili tha se në veri realisht janë vetëm 25 njerëz që janë shkaktarë të problemeve, që janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin dhe ne sot e gjejmë veten pas kësaj informate, para një situatë te re ku BE-ja e EULEX shantazhohen nga 25 njerëz që mbështeten nga Beogradi”, tha Deda.

Aksioni i korrikut i Qeverisë së Kosovës për të marrë kontrollin në pikat kufitare ne veri që kritikuar nga Brukseli zyrtar për shkak të “moskoordinimit me faktorin ndërkombëtar”.

Megjithatë, vendosja e doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak me 16 shtator ka marrë bekimin ndërkombëtar, pra edhe të Brukselit.

Por, as pas kësaj date, EULEX-i nuk po zbaton mandatin për sundim të ligjit në veri, ndërsa që nga shtatori, serbët përmes barrikadave në rrugë kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të këtij misioni në atë pjesë.

Analisti nga Lëvizja për Studime Politike dhe Juridike, Fisnik Korenica, vë në pah rreziqet që mund të vijnë nga mosveprimi i BE-së.

Ideja që BE-ja të mos e luftojë këtë status-quo është shumë e rrezikshme, meqë mund t’i shkojë në mendje dikujt, që ta njohë këtë gjendje faktike. Problemi themelor me BE-në është që ajo si organizatë ndërkombëtare, çështjen e vendimmarrjes e ka paksa të komplikuar".
Ideja që BE-ja të mos e luftojë këtë status-quo është shumë e rrezikshme, meqë mund t’i shkojë në mendje dikujt, që ta njohë këtë gjendje faktike.

"Dhe e dyta, këtë pozicion të paqartë dhe kompleks në raport me veriun po e lidh me mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi edhe natyrisht duke qëndruar pezull ndaj veriut po iu jep mundësi forcave liberale, që atje të mos luftohen prej nacionalistëve dhe që në njëfarë forme të favorizohen në luftën e tyre për të fituar pushtetin”, tha Korenica.

Veriu i Kosovës vazhdon të prodhojë tensione etnike, ndërsa Prishtina edhe pas 12 vjetësh të përfundimit të luftës, nuk ka arritur të shtrijë kontrollin në atë pjesë të dominuar nga komuniteti serb.

Serbia në anën tjetër, vazhdon që çdo vit të financojë me mbi 40 milionë euro strukturat paralele serbe, që kryesisht janë të vendosura në komunat veriore.
Ndryshe, të ashtuquajturit udhëheqës të komunave veriore nuk njohin pushtetin e Prishtinës dhe qëndrojnë edhe publikisht pas barrikadave të ngritura në rrugë, përmes të cilave kundërshtohet vendosja e doganierëve dhe policëve kosovarë në kufi.
XS
SM
MD
LG