Ndërlidhjet

logo-print

Nju Jork: Policia e filloi largimin e protestuesve


Policia e Nju Jorkut, sot herët në mëngjes, e ka filluar largimin e protestuesve nga lëvizja Okupimi i Wall Street-it, nga sheshi i qytetit, ku ata kishin ngritur kamp prej muajit shtator.

Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut, thanë se protestuesit “përkohësisht duhet të largohen” nga parku Zukoti dhe t’i çmontojnë tendat e tyre.

Autoritetet thanë se parku duhet të pastrohet, pasi ishte bërë josanitar dhe i rrezikshëm dhe se protestuesit mund të kthehen më vonë, por jo me thasë për fjetje dhe me tenda.

Këtë kamp në parkun Zukoti, afër pjesës financiare të Nju Jorkut, protestuesit e kishin ngritur në muajin shator, për të protestuar kundër sistemit financiar, për të cilin ata thonë se më së shumti fitime u sjell korporatave dhe të pasurve.

Lëvizja Okupimi i Wall Street-it ka inspiruar protesta të ngjashme në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG