Ndërlidhjet

Paratë nga PTK, jashtë buxhetit të sivjetmë


Posta dhe Telekomi i Kosovës
Posta dhe Telekomi i Kosovës
Në rast se nuk ka ndonjë përparim të qartë drejt privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës deri në muajt e parë të vitit 2012, Qeverisë së Kosovës do t’i nevojiten masa shtesë për të siguruar mbulesë adekuate të parave për ta menaxhuar gjithë vitin, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ky vlerësim është publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate monetare ndërkombëtare.

Por, ekspertët e çështjeve ekonomike në Kosovë vlerësojnë se përparimi në këtë drejtim, për afatin të cilin e përmend Fondi Monetar Ndërkombëtar, është thuajse i paarritshëm, nëse merren parasysh përvojat e deritashme lidhur me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se do të duhet kohë për të rishikuar shkaqet e dështimeve të deritashme për privatizimin e PTK-së, për t’iu qasur këtij problemi në mënyrë më serioze.

Ai mendon se PTK-ja nuk do të mund të privatizohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Pritjet se do të shitet Posta në vitin e ardhshëm, dhe se nga kjo do të financohen disa projekte të rëndësishme, unë mendoj se nuk janë reale. Vëmendja duhet të koncentrohet në të hyrat buxhetore që realisht mund t’i mbledhë Qeveria e Kosovës”.

Ndërsa, shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës - do të thotë përfitimet nga kjo shitje eventuale që mund të bëhet në vitin 2012, mund të inkorporohet në projeksionin e buxhetit të vitit 2013”, shprehet Sadiku.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, shprehet mjaft skeptik lidhur me çështjen se a do të mund të arrihet ndonjë përparim në procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Unë jam skeptik lidhur me menaxhimin e procesit dhe me interesimin e kompanive ndërkombëtare në sferën e telekomunikacionit. Të mos harrojmë se procesi i privatizimit është shumë i ndërlikuar”.

Nëse arrihet të ketë fitues në procesin e privatizimit në tremujorin e parë, është pikëpyetje e madhe nëse do të arrihen të arkëtohen mjetet nga shitja, të cilat, pastaj, do të duhej të përdoren për shpenzime buxhetore”, thotë Musa.

Në anën tjetër, Muhamet Sadiku thotë se nëse nuk arrihet përparim në privatizimin e PTK-së, Qeveria e Kosovës do ta ketë parasysh mundësinë që ngarkesat fiskale t’i shtrijë në nivel më të lartë se sa deri më tash, si dhe ta luftojë ekonominë joformale.

Por, siç thotë ai, paqartësia lidhur me burimet për të hyrat buxhetore vazhdon të mbetet.

Janë edhe disa burime të tjera që ndërlidhen me thithjen e donacioneve, të cilat do të vijnë në shprehje po që se qeveria do të nënshkruajë marrëveshjen e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar”.

Prandaj, në këtë situatë, vërtetë, disa burime për të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm mbeten të paqarta dhe të paqëndrueshme”, thekson Sadiku.

Por, Lekë Musa thekson se çfarëdo masash shtesë, vështirë se mund t’i sigurojnë shumën e supozuar të mjeteve financiare që eventualisht mund të sigurohen me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Nuk e di se çfarë masash shtesë mund t’i sigurojnë 300 milionë euro. Janë shpenzime mjaft të mëdha, të cilat duhet të reduktohen në fusha të ndryshme. Mirëpo, vërtetë është vështirë, sipas mendimit tim, që me masa tjera të sigurohen 300 milionë euro”, bën të ditur ai.

Ndryshe, eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku ka theksuar se Qeveria e Kosovës, në rrethanat e tanishme, nuk duhet të ngritë normat fiskale dhe nuk duhet të imponojë tatime të reja sepse, sipas tij, Kosova tashmë ka probleme në ndërtimin e një mjedisi miqësor për investimet e jashtme.
XS
SM
MD
LG