Ndërlidhjet

Stefanoviq: Bisedimet vazhdojnë nga fundi i nëntorit


Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq ka thënë se data e takimit të radhës me delegacionin e Kosovës nuk është përcaktuar ende, por është shprehur i sigurt se takimi do të mbahet deri në fund të nëntorit, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Pas paralajmërimeve në mediat kosovare se i dërguari i BE-së për ndërmjetësim në këtë dialog, Robert Kuper ka thirrur takimin e radhës për të premten, Stefanoviq ka deklaruar se “data e takimit të radhës varet nga shumë çështje”.

Sipas tij, Prishtina në vazhdimësi luan me datat e takimit. Ai thotë se nuk sheh se çfarë dobie mund të ketë nga mbajtja e shpejtë e takimeve dhe lajmërimit të opinionit dhe mediave se do të mbahet këtë apo atë datë.

“Jemi në rrugë të mirë që të arrijmë marrëveshje për vendkalimet (kufitare) dhe që organet shtetërore të Serbisë ta thonë qëndrimin e vet në lidhje me këtë”, është shprehur Stefanoviq.

Ai i ka ftuar përfaqësuesit serbë, të cilët mbajnë poste paralele të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës që të mërkurën të shkojnë në Beograd për të biseduar me autoritetet qeveritare atje në lidhje me bisedimet që do zhvillohen në Bruksel për vendkalimet kufitare, të cilat Stefanoviq i ka cilësuar si administrative.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces ka si qëllim vendosjen e një bashkëpunimi dhe uljen e tensioneve ndërmjet dyja vendeve fqinje, të cilat pretendojnë integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG