Ndërlidhjet

Menaxhim i kufirit shtetëror apo administrativ?!


Jarinë
Jarinë
Menaxhimi i integruar i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet pasi që të dyja vendet t’i njohin në mënyrë reciproke kufijtë shtetërorë, thonë përfaqësues politikë dhe analistë kosovarë.

Deklarimet e tyre pasojnë paralajmërimet se në dialogun Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mund të arrihet edhe marrëveshja për menaxhim të integruar të kufijve.

Me gjithë vlerësimet pozitive për një marrëveshje të tillë eventuale nga shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vazhdon të insistojë se ka çështje të tjera që duhen definuar paraprakisht, para se të arrihet një marrëveshje e tillë.

Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
“Ne mendojmë që në rend të parë duhet të definohet çështja e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pasi të bëhet kjo njohje, realisht mund të bëhet menaxhimi i përbashkët. Ne jemi për menaxhim të përbashkët të kufijve, por, paraprakisht, këta kufij duhet të njihen nga të dyja vendet dhe të ratifikohen nga kuvendet e të dyja vendeve”, deklaron Krasniqi.

Menaxhimi i integruar i kufijve, si një nga parimet evropiane, sipas analistit Shenoll Muharremi, nënkupton menaxhimin e kufijve shtetërorë. Por, në raportet Kosovë – Serbi, ai e sheh si pengesë faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as kufirin e saj shtetëror.

Përkufizimi i këtij kufiri si një vijë administrative nga ana e Serbisë, vijon Muharremi, apo edhe gjetja e formulimeve të reja në këtë marrëveshje eventuale, sipas tij, do të përbënin shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Fakti që Serbia nuk e ka njohur Kosovën, do ta shtyjë këtë marrëveshje në dialogim, në instanca që thjesht të gjenden terminologji tjera për këtë kufi. Mendoj se është absolutisht esenciale që ky kufi të jetë shtetëror; çfarëdo pozicioni tjetër, nëse merret, është antikushtetues”, thekson Muharremi.

Që marrëveshja me Serbinë për menaxhimin e kufirit të jetë e suksesshme, Muharremi thotë se ajo duhet të zbatohet për të katër pikat kufitare me Serbinë dhe jo vetëm për dy pikat në veri.

“Duhet të sigurohemi që marrëveshja të jetë e atillë dhe të jetë e zbatueshme. Po ashtu është me rëndësi që t’i trajtojmë të katër kufijtë me Serbinë. Jo vetëm pikat 1 dhe 31, por edhe dy pikat tjera kufitare të jenë pako e kësaj marrëveshjeje”, vlerëson Muharremi.

Aktualisht, mediat dhe opinioni janë njoftuar për një marrëveshje eventuale për menaxhim të kufirit me Serbinë, por nuk janë bërë publike detajet e saj.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se ekipi i Kosovës në këtë dialog duhet të jetë transparent. Ndërkaq, rolin e Kuvendit në ratifikimin e marrëveshjes eventuale, ai e sheh si të domosdoshëm.

“Çdo marrëveshje që bëhet në kuptimin e rëndësisë politike dhe të së ardhmes së Kosovës, duhet patjetër të kalojë në Kuvendin e Kosovës, sepse ata (deputetët) janë përfaqësues të vetëm të qytetarëve dhe mbrojnë interesat e tyre. Prandaj, edhe një marrëveshje e tillë duhet patjetër të kalojë nëpër Kuvendin e Kosovës”, thotë Gashi.

Kosova tashmë ka marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Analisti Shenoll Muharremi sqaron se çka përmban një marrëveshje e tillë, sipas kritereve evropiane.

“Në tri çështjet kryesore të menaxhimit të kufijve, e para paraqet bashkëpunimin e agjencive shtetërore, si: policia kufitare, doganat, inspektorati për ushqim e veterinari; pastaj, e dyta ka të bëjë me integrim të shërbimeve, në mënyrë që të ketë mobilitet në lëvizje; çështja e tretë është bashkëpunimi ndërkombëtar, për shembull për të luftuar krimin e organizuar me Interpolin dhe vendet tjera”, thotë Muharremi.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka si qëllim jo vetëm vendosjen e një bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, por edhe uljen e tensioneve, si parakushte për vendet që mëtojnë integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG