Ndërlidhjet

logo-print

Hapa konkretë drejt BE-së

  • RFE /RL

Filip Gordon

Filip Gordon

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, tha se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në tre vjetët e fundit, me forcimin e institucioneve të saj politike dhe përmbushjen e pjesës më të madhe të obligimeve, që parasheh Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, në bazë të të cilit u shpall edhe pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Ai i bëri këto komente në një dëgjim në komitetin për marrëdhënie me jashtë të Dhomës së përfaqësuesve.

Duke u përballur me një seri testesh për stabilitetin e rendit të saj kushtetues, Kosova duhet të vazhdojë punën e vështirë të ndërtimit të shtetit unik dhe të forcimit të institucioneve të saj multi-etnike dhe demokratike, tha Gordon.

Ai rikujtoi porosinë e Shteteve të Bashkuara se “një pjesë e rëndësishme e këtij procesi përfshin respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë – përfshirë edhe serbët e Kosovës – si dhe ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe fetare”.

Prioritetet urgjente për qeverinë përfshijnë trajtimin e papunësisë, trajtimin e reformave në sektorin e energjisë, të krimit dhe të korrupsionit, të barrierave biznesore dhe investimeve, të administratës së dobët publike, si dhe reformat në gjyqësor, theksoi Gordon.

Duke bërë krahasime me shoqëritë e tjera post-socialiste, ai tha se edhe Kosova është duke luftuar për të përqafuar zhvillimin e sektorit privat.

Ai po ashtu citoi deklaratën e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e cila ka thënë se “e ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian”.

Shtetet e Bashkuara inkurajojnë përpjekjet e vazhdueshme për reforma, që do ta ndihmojnë vendin të lëvizë drejt së ardhmes së tij të ligjshme, theksoi Gordon.

Ashtu si vendet e tjera të rajonit, të cilat janë motivuar nga perspektiva e integrimit euro-atlantik, ne besojmë se edhe Kosova duhet të shohë hapa konkretë drejt perspektivës së saj evropiane, tha diplomati amerikan.


Në këtë kontekst, shtoi ai, SHBA ka mirëpritur njoftimin e BE-së se, këtë vit, do të nisë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Ne po ashtu shpresojmë se Kosova, së shpejti, do të marrë mbështetjen e Këshillit të Evropës për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale në formën e një marrëveshjeje tregtare, apo edhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, tha Gordon.

Ai po ashtu theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në institucionet rajonale dhe globale, si një anëtare kontribuuese e komunitetit ndërkombëtar.

Zyrtari i lartë amerikan kujtoi se janë 84 vende që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu vendimet e fundit nga Kuvajti, Gaboni dhe Bregu i Fildishtë.

Ne besojmë se Kosovën do ta njohin edhe më shumë vende me kalimin e kohës; ne i mbështesim fuqishëm përpjekjet e Prishtinës për të siguruar më shumë njohje, tha ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.


Serbia

Në të njëjtin adresim, Gordon foli edhe për Serbinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur përparimin që ka bërë shteti serb këtë vit, në përmbushjen e reformave të brendshme, të cilat janë të nevojshme për pranim në Bashkimin Evropian.

“Arrestimi i Ratko Mlladiqit dhe Goran Haxhiqit demonstron angazhimin për drejtësi dhe pajtim. Me ekstradimin e tyre në Hagë, Serbia ka përmbushur detyrimin e saj kryesor ndaj Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi”, tha Gordon.

Ai lavdëroi edhe përpjekjet e Serbisë për të rindërtuar marrëdhënie me disa nga fqinjët e saj.

Duke i njohur këto masa, Gordon tha se Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin e kushtëzuar që Serbisë t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.
Raporti i Progresit, i publikuar muajin e fundit, e bën këtë rekomandim të nënkuptojë se Serbia do të riangazhohet në dialog me Kosovën dhe do të lëvizë me shpejtësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot, tha Gordon.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mirëpresin rekomandimin e Komisionit, sikurse mbështesin fuqishëm aspiratat e Serbisë drejt BE-së.

Por, megjithatë, shtoi Gordon, SHBA dakordohet me partnerët evropianë, se Serbia duhet ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, multietnike dhe me kufijtë e saj aktualë.

Zyrtari amerikan tha se është në kundërshtim me standardet e BE-së që Beogradi t’i mbajë dhe t’i financojë zyrtarët e sigurisë brenda Kosovës, që nga viti 1999. Ai tha se një gjë e tillë është në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Edhe pengimi i mallrave kosovare në dhe përmes Serbisë deri para disa javëve, ishte në kundërshtim me standardet evropiane dhe me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të nënshkruar nga vetë Serbia, shtoi Gordon.

Ky i fundit rikujtoi se Serbia dhe Kosova kanë nisur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në mars të këtij viti.

Këto bisedime nuk janë për rihapjen e çështjes së statusit të Kosovë, i cili tashmë është zgjidhur, theksoi Gordon.

Ai tha se të dyja palët kanë treguar gatishmërinë e tyre për të diskutuar zgjidhje praktike, të cilat mund të përmirësojnë jetën e njerëzve si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë.

Gordon theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përpjekjet e ndërmjetësuesit evropian në bisedime, Robert Kuper, si dhe kanë marrë pjesë edhe vetë në çdo sesion të dialogut.

Derisa dialogu ka rezultuar me bashkëpunim të përmirësuar teknik, çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura, tha Gordon.

Sipas tij, palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis, në mënyrë që të arrijnë përparimin e nevojshëm për përfitimet e njerëzve.

Por, ky dialog është ndërprerë në muajin korrik, tha Gordon, “atëherë kur Qeveria e Serbisë refuzoi të pranojë vulat e Doganës së Kosovës dhe të lejojë tregtinë mes dy vendeve, e cila ishte ndërprerë që kur Serbia vendosi embargo ndaj mallrave kosovare, në vitin 2008.

Zyrtari i lartë amerikan rikujtoi se Serbia ka pranuar vulat kosovare në shtator, ndërkohë që “serbët lokalë kanë ngritur post-blloqe dhe kanë ndaluar lirinë e lëvizjes për zyrtarët kosovarë, për tregtinë e ligjshme midis Kosovës e Serbisë, si dhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë, posaçërisht për KFOR-in dhe EULEX-in, të cilët janë jetikë për ruajtjen e stabilitetit”.

Strukturat paralele dhe kriminale të Serbisë në veri të Kosovës, në javët e fundit, kanë shtuar bllokadat rrugore dhe një numër rrugësh alternative, për të anashkaluar pikat e kontrollit të KFOR-it dhe për t’i shmangur kontrollet doganore, tha Gordon.

Sipas këtij të fundit, këto bllokada pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in në realizimin e plotë të përgjegjësive të tyre, në pajtim me mandatet përkatëse.

Furnizimi i trupave të KFOR-it nga ajri, shtoi Gordon, do të bëhet gjithnjë e më i vështirë me afrimin e dimrit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta kur kanë thënë se duhet të ketë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të pakushtëzuar të lëvizjes në gjithë Kosovën, kujtoi Gordon qëndrimin e SHBA-së.

Ai po ashtu shprehu pritjet amerikane që Qeveria e Serbisë të bashkëpunojë plotësisht me KFOR-in dhe EULEX-in në largimin e menjëhershëm të barrikadave dhe në vendosjen e kontrolleve të duhura në kufi.

“Më lejoni të jem i qartë: nuk ekziston asnjë mënyrë që kufijtë e këtij rajoni të ripërcaktohen. Ndarjet dhe këmbimet e tokës janë zgjidhje të papranueshme”, tha Gordon.

“Çdo retorikë që bën thirrje për ndarjen e Kosovës dhe vë në dyshim mundësitë e popujve të etnive të ndryshme për të jetuar së bashku, është e dëmshme për pajtimin rajonal dhe në kundërshtim me përpjekjet e shumta të komunitetit ndërkombëtar për ta çuar rajonin përtej konflikteve brutale të viteve 1990”, tha ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Filip Gordon.


Kroacia

Ndihmës-sekretari i shtetit amerikan tha se Kroacia vazhdon të jetë shembull pozitiv në Evropën Juglindore.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi që shtetit kroat t’i jepet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë, sipas Gordonit, pason përfundimin e suksesshëm të negociatave për anëtarësim, të cilat kanë zgjatur gjashtë vjet.

Ai tha se Kroacia do të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së dhe republika e dytë ish-jugosllave që i bashkohet këtij blloku.

Që nga pranimi i saj në NATO, në vitin 2009, Kroacia kontribuon në kuadër të KFOR-it (misioni paqeruajtës në Kosovë), si dhe luan rol aktiv në misionin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan (ISAF), tha Gordon.

Sipas tij, suksesi i Kroacisë dëshmon mundësinë e përparimit – megjithëse me shumë punë dhe sakrificë – si dhe avancimin e interesave të qytetarëve të Kosovës.

Gordon kujtoi edhe fjalët e sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, e cila ka thënë se “Kroacia ka treguar se integrimi evropian dhe euro-atlantik nuk është vetëm një qëllim i denjë, por edhe i arritshëm, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.


Mali i Zi

Mali i Zi ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme drejt integrimit euro-atlantik, theksoi Filip Gordon.

Ai tha se zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, dhe sekretarja e shtetit, Hillari Klinton, kanë mirëpritur kryeministrin malazez, Igor Llukshiq, në Uashington, të cilit i kanë rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për reformat e vendit të tij.

Mali i Zi vazhdon të bëjë përparim solid drejt anëtarësimit në NATO dhe, pavarësisht se është shtet i vogël, ai merr pjesë në ISAF, tha Gordon.

Ai kujtoi se raporti i fundit i Komisionit Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE midis bllokut evropian dhe Malit të Zi, duke lavdëruar përparimin e vendit në reformat gjyqësore, zgjedhore dhe në lirinë e medieve, si dhe duke i bërë thirrje për më shumë punë në çështjet e sundimit të ligjit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu besojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet e shoqërisë duhet të vazhdojë të adresohet në Podgoricë, tha Filip Gordon.


Shqipëria

Sipas ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Filip Gordon, Shqipëria i ka miratuar me shpejtësi reformat e nevojshme për anëtarësim në NATO, në vitin 2009, dhe “tani ajo kontribuon me më shumë se 300 trupa në Afganistan”.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, shtoi Gordon, mbesin të shqetësuara për bllokimin e gjatë politik në Parlament, i cili nuk ka qenë në gjendje të miratojë ligjet e përcaktuara nga BE-ja, për të arritur statusin e kandidatit evropian.

“Ne jemi të inkurajuar që opozita tani i ka dhënë fund bojkotit të parlamentit. Ne i kemi kërkuar qeverisë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe të OSBE-së për reforma, të bëjë përpjekje reale dhe të prekshme për angazhimin e opozitës, si dhe të pranojë kompromisin si pjesë të procesit politik”, tha zyrtari amerikan.

Ai po ashtu tha se SHBA i ka kërkuar edhe opozitës të jetë përgjegjëse.


Maqedonia

Kontesti i emrit me Greqinë vazhdon t’i pengojë aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, vuri në dukje ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e OKB-së për çështjen e emrit dhe se do të përqafojnë çdo zgjidhje të pranueshme që do të shfaqet.

“Një angazhim aktiv dhe konstruktiv midis Athinës dhe Shkupit është jetik”, tha Gordon.

Sipas tij, Maqedonia duhet të adresojë sfidat e sundimit të ligjit, veçanërisht mungesën e institucioneve të pavarura gjyqësore, prokurorinë selektive dhe korrupsionin.

Ndonëse Maqedonia ka bërë përparim në marrëdhëniet ndëretnike, pezullimi i regjistrimit kombëtar për shkak të mosmarrëveshjeve politike, nënvizon nevojën për të punuar më shumë, tha Gordon.


Bosnjë e Hercegovina

Përfaqësuesi i Qeverisë amerikane tha se Bosnjë e Hercegovina ka bërë përparim të madh që nga tmerret e viteve 1990.

Ajo është pranë përfundimit të rotacionit të saj dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ka dhënë mbështetjen e vazhdueshme për prioritetet e SHBA-së, përfshirë këtu edhe rezolutat për Libinë dhe Sirinë, tha Gordon, duke kujtuar se i njëjti vend ka qenë kontribuues i vlefshëm për misionin e ISAF-it në Afganistan.

Sipas tij, Bosnja ka qenë po ashtu një partner i qëndrueshëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, të cilën gjë e ka treguar edhe më 28 tetor, kur Ambasada e SHBA-së në Sarajevë është sulmuar nga një person i armatosur.

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e shkëlqyer të autoriteteve boshnjake në përgjigje të këtij sulmi, si dhe për çështje të tjera anti-terroriste”, tha Gordon.

Megjithatë, ai tha se Qeveria e SHBA-së i kërkon Bosnjë e Hercegovinës të bëjë përparim urgjent në tri fusha kryesore.

“Së pari, Bosnja duhet të funksionojë institucionet e saj politike. Trembëdhjetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, vendi mbetet i zhytur në një bllokim politik, që ka rritur tensionet etnike, ka penguar formimin e një qeverie të re dhe ka bllokuar përparimin e vendit drejt integrimit euro-atlantik”, tha Gordon.

Si çështje të dytë, ai theksoi nevojën që politikanët e Bosnjës të demonstrojnë përkushtimin e tyre për Marrëveshjen e Dejtonit.

Dhe, së treti, Bosnjë e Hercegovina duhet të realizojë reformat qeveritare, të nevojshme për integrimin euro-atlantik, tha Filip Gordon. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG