Ndërlidhjet

Marrëveshje të nënshkruar për menaxhimin e integruar të kufirit


Pala kosovare ka kërkuar nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd, që marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhet nga palët në dialog dhe Brukseli si ndërmjetësues.

Kryenegociatorja e Kosovës në këtë dialog, Edita Tahiri tha të mërkurën para kabinetit qeveritar se Prishtina ka dhënë pëlqimin e saj për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në lidhje me menaxhim e integruar të kufirit. Sipas saj, kjo do të jetë një marrëveshje ndër shtetërore.

“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të rritet kontrolli kufitar, të rritet siguria, dhe të ndjeket linja e kufijve të hapur si filozofi evropiane dhe vendeve që aspirojnë integrimet në BE”, ka thënë Edita Tahiri.

Sidoqoftë ajo kërkoi që kjo marrëveshje të nënshkruhet nga pala kosovare, ajo serbe dhe BE-ja si ndërmjetësuese dhe garantuese e zbatimit, për shkak të specifikave që ka pasi që Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe as kufijtë shtetëror të saj.

Ndryshe, pesë marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun Prishtinë – Beograd nuk janë nënshkruar, pasi që ato në fund janë prezantuar vetëm si konkluzione të ndërmjetësuesit Robert Kuper.
XS
SM
MD
LG