Ndërlidhjet

Prishtina kërkon nënshkrimin e marrëveshjes


Merdare - foto nga arkivi
Merdare - foto nga arkivi
Pala kosovare ka kërkuar nga Bashkimi Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd që marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruhet nga palët në bisedime dhe Brukseli si ndërmjetësues.

Në anën tjetër, delegacioni serb e ka mohuar mundësinë e arritjes së marrëveshjes për menaxhim të kufirit, duke theksuar se ka shumë opsione në tavolinë, por asnjëra nuk është afër finalizimit.

Sidoqoftë, kryenegociatorja e Kosovës në këtë dialog, Edita Tahiri, ka thënë para kabinetit qeveritar se Prishtina ka dhënë pëlqimin e saj për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, në lidhje me menaxhimin e integruar të kufirit. Sipas saj, kjo do të jetë një marrëveshje ndërshtetërore.

Edita Tahiri
Edita Tahiri
“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të rritet kontrolli kufitar, të rritet siguria dhe të ndiqet linja e kufijve të hapur, si filozofi evropiane dhe e vendeve që aspirojnë integrimet në BE, me garancitë që marrëveshja e bashkëpunimit midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruhet nga të dyja palët. Nënshkrues të jetë edhe Bashkimi Evropian, për shkak të specifikave të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Kërkesa për nënshkrimin e marrëveshjes paraqet një risi në këtë proces dialogues, pasi që pesë marrëveshjet e arritura deri më tani ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk janë nënshkruar, por janë prezantuar si konkluzione të ndërmjetësuesit evropian në bisedime, Robert Kuper.

Pala serbe thotë se ende nuk ka kurrfarë marrëveshjeje me palën nga Kosova. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës dhe se kjo marrëveshje, sipas tij, nuk ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve.

Borisllav Stefanoviq
Borisllav Stefanoviq
“Nëse kjo do të jetë zgjidhje, me siguri se ajo nuk do të jetë për menaxhim të integruar të kufijve, sepse, për ne, kufijtë me Kosovën nuk ekzistojnë”, ka thënë Stefanoviq, duke nënvizuar se Beogradi, kufirin me Kosovën e sheh vetëm si një vijë administrative.

Stefanoviq ka ritheksuar se aktualisht po bisedohen shumë zgjidhje, por sipas tij, nuk ka ende një zgjidhje të vetme, siç pretendon pala kosovare në bisedime.

Ndërkohë, marrëveshja e paralajmëruar për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë, ende pa u finalizuar, është kundërshtuar nga opozita kosovare, si dhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ky i fundit ka vlerësuar se kjo marrëveshje tejkalon kompetencat e delegacionit të Kosovës, ndërsa ka kërkuar që para menaxhimit të përbashkët, Serbia t’i njohë kufijtë e Kosovës.

Por, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar kryeministri Hashim Thaçi. Sipas tij, me vetë faktin që Serbia po bisedon për një temë të tillë, ajo njeh shtetin dhe institucionet e Kosovës.

Ai i ka cilësuar qesharake deklaratat e politikanëve kosovarë, se menaxhimi i integruar ka të bëjë me bisedime për kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë qesharake. Natyrisht se dikush mund të thotë se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, por ne e dimë atë fakt. E ritheksoj edhe një herë, është shumë qesharake të ngatërrohet menaxhimi i kufijve me çështjen e kufirit”, është shprehur Thaçi.

Nga pesë marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga BE-ja, sipas kryenegociatores Edita Tahiri, po zbatohet vetëm ajo për tregtinë e lirë.

Moszbatimi i katër marrëveshjeve tjera, sipas saj, është pasojë e papërgjegjësisë së Qeverisë serbe. Për këtë arsye, pala kosovare ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që deri më 20 nëntor të bëjë një vlerësim të zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Përveç menaxhimit të integruar të kufijve, takimi i radhës, i paralajmëruar të thirret gjatë nëntorit, pritet të ketë si tema të bisedimeve edhe çështjet e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Lexoni edhe këtë:
Idetë e Kuperit s'kanë konsensus
XS
SM
MD
LG