Ndërlidhjet

logo-print

Qendra islamike rritet në heshtje

  • Nik Krastev



(Fotografitë tregojnë pamje nga tubimet që kundërshtojnë dhe mbështesin ndërtimin e Qendrës së komunitetit islamik në Nju Jork, 2010)


Po të mos ishte makina e policisë vazhdimisht e parkuar përpara, Qendra e komunitetit islamik, dy blloqe nga vendi i sulmeve të 11 Shtatorit, 2001, vështirë se do të vërehej.

E emëruar “Park51”, sipas adresës së rrugës në Manhatan, ajo zë një ndërtesë industriale të shekullit XIX, që dikur ishte një fabrikë palltosh.

Por, ajo që zhvilluesit e saj parashikojnë, është një qendër 100 milionë dollarëshe, moderne, e që pritet të bëhet një institucion kulturor i madh, shumëfetar, në qendër të Manhatanit.

Ky vizion ofron një kontrast të zymtë për ngjarjet e një viti më parë, kur ideja e ndërtimit të një qendre myslimane dhe një xhamie në afërsi të vendit të sulmeve, nxiti pasionet publike në Nju Jork dhe në gjithë vendin.

Vitin e kaluar, afër 9-vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit, demonstrata të mëdha u mbajtën në mbështetje dhe kundër zhvillimit të asaj që nga kritikët u quajt "Xhamia Ground Zero".

Majkell Gidins, shkrimtar i pavarur nga Bruklini, është në mesin e atyre që janë tubuar në mbështetje të “Park51”, sepse, siç thotë ai, toleranca ndaj të gjitha feve është shembulli më i qartë i demokracisë në Shtetet e Bashkuara.

"Ka shumë xhami në Nju Jork. Kjo nuk është një xhami, kjo është një qendër rekreative. Furia mbi të është shkaktuar për shkak të politikave të krahut të djathtë dhe nga mediat e krahut të djathtë. Kjo është arsyeja e vetme pse njerëzit janë të shqetësuar në lidhje me të”, thotë Gidins.

Por, Allisha Negron, një 52-vjeçare nga Konektiku, thotë se ndërtimi i një xhamie në afërsi të Ground Zero-s, është një fyerje për kujtimin e atyre që vdiqën më 11 Shtator.

"Ka një numër të madh të amerikanëve, të cilët janë kundër ndërtimit të xhamisë këtu, në një vend të shenjtë si Ground Zero. Vetëm se është në rregull, nuk do të thotë se është e drejtë. Dhe, kjo nuk është e drejtë”, thotë ajo.

Një vit më vonë, edhe pse polemikat nuk janë larguar tërësisht, “Park51” është duke u përzier lehtësisht në lagje.

Qendra organizon kurse për fëmijë në gjuhën arabe, lexime librash e poezish, leksione në aspekte të ndryshme të kulturës islame, shfaqje filmash dhe joga.

Broshura promocionale e “Park51”-shit thotë se ka për qëllim të “rregullojë një profil pozitiv për kulturat myslimane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.


Model nga qendra hebraike

Ka pasur një tentim që në aktivitetet e kësaj qendre të përfshihen edhe njerëz të besimeve të tjera, siç janë hebrenjtë. Planet për “Park51” janë duke u modeluar sipas Qendrës kulturore hebraike të qytetit.

Erika Ueber, drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun dhe mediat sociale në Qendrën hebraike, thotë se përfaqësuesit e “Park51” kanë qenë për vizitë për të diskutuar programin.

"Mënyra ku ata thonë se bazohen te ne, është mënyra se si ne e planifikojmë programin tonë, mënyra e strukturimit të ndërtesës sonë, mënyra se si kemi krijuar klasat, pishinën, dhomën dhe gjëra të tilla. Nuk është e bazuar në asgjë fetare apo politike”, thotë Ueber.

Por, “Park51” po ballafaqohet me disa barriera në realizimin e vizionit të vet.

Sipas raporteve të publikuara, tani për tani është e përfshirë në një problem rreth qerasë së papaguar me “Con Edison”, kompania e shërbimeve të Nju Jorkut. “Con Edison” zotëron gjysmën e hapësirës ku është planifikuar të ndërtohet qendra e re islame. Të dyja këto subjekte tani janë në procedura ligjore.

Është gjithashtu e paqartë nëse “Park51” do të përjashtohet nga taksat, çfarë do ta përcaktonte atë si një institucion jofitimprurës.

Megjithatë, Sharif El-Gamal, zhvilluesi kryesor i “Park51”, thotë se, edhe
nëse zhvillimi komercial është i ndaluar, xhamia do të vazhdojë të ndërtohet. (e.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG