Ndërlidhjet

Drejtues të OJQ-ve në Maqedoni thonë se sektorit qytetar i duhet mbështetje, si nga institucionet e shtetit, ashtu edhe nga vetë qytetarët . Me tërheqjen më të madhe të donatorëve të huaj, sfidat do të jenë më evidente për atë se në ç`drejtim do të vazhdojnë të funksionojnë organizatat qytetare.

Zoran Ilievski nga Lidhja e organizatave joqeveritare e të rinjve “SEGA”, thotë se sektori civil humbet forcën e veprimit. Ilievski thekson se pas 20 vjetësh po krijohet nevoja e një bashkëpunimi më të madh ndërmjet organizatave dhe jo një rivalitet i paqartë mes tyre, duke u fokusuar në promovimin e tolerancës, si një nga shtyllat shumë të rëndësishme të zhvillimit të shtetit demokratik.

“Institucionet, organizatat qeveritare dhe ato joqeveritare, janë ato që duhet të krijojnë hapësirë të shëndoshë për bashkëveprim në ndërtimin e shoqërisë demokratike në funksion të mirëqenies në nivel lokal dhe assesi institucionet e shtetit veprimin e OJQ-ve të mos e shohin si çështje rivaliteti”, thotë Ilievski.

Ibrahim Mehmeti, udhëheqës i programit kombëtar - Zyra për bashkëpunim nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim , thotë se sektori joqeveritar ka rol shumë të rëndësishëm në procesin e demokratizimit të shoqërisë.

Sipas Mehmetit, sektori civil “gëzon një nivel të ulët besimi te qytetarët, për shkak se shpesh organizatat joqeveritare ndërmarrin projekte që nuk janë pjesë e veprimtarisë së tyre, ose ato keqpërdoren për qëllime politike, me çka shkaktohet mosbesim ndaj tyre”.

“Pushteti jo rrallëherë mundëson që ata të mos i realizojnë obligimet e marra në një afat më të gjatë. Duket qartë se është joproduktive edhe për vetë OJQ-të”,
thekson Mehmeti.

Nga ana tjetër, Margarita Caca Nikollovska, nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, vlerëson se në opinion mungon debat i mirëfilltë për çështjet që prekin qytetarët, me ç’rast promotor më i denjë i interesave të qytetarëve është shoqëria civile:

“Të gjithë në Maqedoni duhet të kenë prioritet mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe realizimin e të njëjtave. E, këtë të drejtë më së miri mund ta promovojë shoqëria civile, nëse nuk është e politizuar”.

Ndërkaq, Arsim Sinani, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës konsideron se donatorët e huaj mund të imponojnë krijimin e një realiteti të përbashkët për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Në Maqedoni ekziston një realitet shqiptar dhe një realitet maqedonas, këtu kemi një mishmash dhe nuk kuptohet se kush ku e ka vendin e vet. Prandaj, ata që i dhurojnë këto mjete, është mirë që nga organizatat joqeveritare, të cilat duhet t’i realizojnë projektet e caktuara, të krijojnë një bashkëpunim të ngushtë mes dy etniteteve. Kurse, pika e përbashkët - që është realizimi i këtyre objektivave - është që të mos krijohen dy realitete, por një realitet me interes për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, vlerëson Sinani.
XS
SM
MD
LG