Ndërlidhjet

logo-print

Sprovë ose rrugë drejt njohjes


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Propozimi për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është dhënë nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë - Serbi, Robert Kuper, nga analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Analisti Ismajl Hasani, thotë se drafti i zotit Kuper, i cili ka arritur në zyrën e kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, është ende enigmë dhe opinioni ende nuk e ka të qartë se çfarë nënkupton ky propozim. Sipas tij, menaxhimi i integruar i kufijve funksionon vetëm në kushte normale dhe ndërmjet vendeve që kanë njohje reciproke, gjë që nuk është në rastin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat, siç thotë ai, nuk kanë marrëdhënie të konsoliduara fqinjësore.
...menaxhimi i integruar i kufijve jo vetëm që është i pamundur, por është një sprovë edhe për zyrën e zotit Kuper, është një sprovë edhe për negociatorët e të dyja palëve.


“Në qoftë se ky koncept bartet në planin ose në sfondin e asaj që nënkupton sot përplasjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, menaxhimi i integruar i kufijve jo vetëm që është i pamundur, por është një sprovë edhe për zyrën e zotit Kuper, është një sprovë edhe për negociatorët e të dyja palëve. E, në mënyrë të veçantë është një sprovë për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmbajtja e propozimit që jep zyra e zotit Kuper, është e nevojshme që në mënyrë urgjente të dalë para delegatëve të Parlamentit të Kosovës”, thotë Hasani.

Në anën tjetër, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, e kundërshton propozimin për menaxhim e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur si jo kushtetues.

Por, analisti Behlul Beqaj thotë se kundërshtuesit e propozimit, duhet t’i kenë parasysh rrethanat e tashme në Kosovë.

“Kundërshtuesit e menaxhimit të integruar të kufijve, duhet të nisen nga fakti se sa është gjendja aktuale në përputhje me Kushtetutën. Meqë kjo shihet qartë se nuk ka të bëjë me realitetin kushtetues, atëherë, menaxhimin integrues nuk mund ta shohim si zgjidhje të problemit, por mund ta shohim si formë më pragmatike për të zgjidhur problemin e pikave kufitare, derisa nuk ekziston gatishmëria e plotë për zbatimin recidiv të Kushtetutës”, shprehet Beqaj.

Bërnjak

Bërnjak

Ndryshe, duke pasur parasysh rrethanat aktuale në veri të Kosovës dhe ngecjet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analisti Hasani vlerëson se propozimi i zotit Kuper, mund të fshehë, siç e quan ai, hilenë, për të arritur një pauzë të arsyetueshme në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mbase edhe kësaj që quhet diplomaci lëvizëse, i bën mirë një ‘time out’ (pushim), i cili jo që e parasheh zgjidhjen e problemit, e as zbutjen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por, mbase, vetëm për të blerë kohë. Sidoqoftë, nëse qasja është, për shembull, siç ka filluar praktika ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, atëherë është çështje tjetër. Por, nëse zyra e zotit Kuper dëshiron vetëm të blejë kohë, atëherë mendoj që është edhe një dështim i radhës i faktorit ndërkombëtar për negocimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, vlerëson Hasani.

Por, analisti Behluli thotë se me gjithë vërejtjet, të cilat, sipas tij, mund të jenë korrekte, propozimin e zotit Kuper duhet parë nga këndi pozitiv.
...rruga për të ardhur deri te njohja e pavarësisë së Kosovës, ndoshta mund të jetë pikërisht fillimi i menaxhimit të integruar të kufijve..


“Vërejtjet janë të qëndrueshme. Por, unë mendoj se rruga për të ardhur deri te njohja e pavarësisë së Kosovës, ndoshta mund të jetë pikërisht fillimi i menaxhimit të integruar të kufijve. Kjo është çështja më pragmatike dhe është një modus vikendi për palët që janë në dialogim”, thekson Beqaj.

Sidoqoftë, për analistin Hasani, Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë që ta ketë propozimin e ndërmjetësuesit evropian Kuper, në mënyrë që deputetët ta shikojnë më hollësisht përmbajtjen dhe modalitetet e menaxhimit të integruar të kufijve.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG