Ndërlidhjet

KS ia zgjat mandatin EUFOR-it dhe NATO-s


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ripërtëriu mandatin 12 mujor të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për asistimin e Bosnjës në çështjet e sigurisë në kohën kur situata e sigurisë në rajon vlerësohet të jetë “një kërcënim për paqën dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Misioni i BE-së në Bosnjë (EUFOR) dhe qendra ushtarake e NATO-s në Sarajevë, e përbërë nga disa qindra ushtarë dhe anëtarë të stafit civil, do të vazhdojnë misionet e tyre deri në nëntor të vitit 2012.

Këshilli 15 anëtarësh i Sigurimit unanimisht miratoi një rezolutë me të cilën autorizohen të gjitha shtetet për “marrjen e masave të nevojshme” në asistimin e BE-së dhe NATO-s.

Sipas rezolutës, të dy mekanizmat mund të marrin gjithashtu të gjitha masat e nevojshme “për të mbrojtur vetën nga sulmet apo kërcënimet për sulme”.

Misioni EUFOR ishte angazhuar, për herë të parë, në vitin 2004 duke zëvendësuar një mision stabilizues të Kombeve të Bashkuara me qëllim asistimin e Bosnjës në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit ritheksoi rëndësinë për zbatimin në tërësi të kësaj marrëveshje, e cila i pat dhënë fund konfliktit ndëmjet serbëve, kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjës.

Të martën, Këshilli i Sigurimit diskutoi rreth situatës së sigurisë në Bosnjë, e cila vazhdon të mos ketë një qeveri efektive që nga viti i kaluar.

Anëtarët e këshillit thanë se me mungesën e një qeverie të re janë dëmtuar përpjekjet për reforma demokratike.
XS
SM
MD
LG