Ndërlidhjet

Liga Arabe i jep ultimatum Sirisë

  • RFE /RL

Protesta anti-qeveritare pranë Homsit të Sirisë.

Protesta anti-qeveritare pranë Homsit të Sirisë.

Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe i kanë dhënë Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Asad, tri ditë kohë për t'i dhënë fund goditjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve anti-qeveritarë dhe për të lejuar vëzhguesit të monitorojnë zhvillimet.

Liga ka kërcënuar me vendosjen e sanksioneve financiare kundër regjimit nëse nuk has në bashkëpunim.

Ky ultimatum është bërë i ditur në një takim urgjent të Ligës në Marok, i cili është ndjekur edhe nga ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.

Kryeministri Katarit, Sheik Hamad bin Jasem al-Thani, tha në një konferencë për shtyp, pas takimit, se durimit të vendeve arabe për regjimin sirian po i vjen fundi.

Ai paralajmëroi: “Po vijmë afër fundit të diplomacisë arabe për Sirinë”.

"Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit të vriten ashtu siç po ndodh në Siri, pa ndërhyrë për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të shmangur dhunën e mëtejme dhe vrasjet. Kjo është arsyeja përse ne e morëm një vendim të vështirë për të gjithë, sepse ne të gjithë jemi përgjegjës për ruajtjen e gjakut të vëllezërve tanë në Siri”.

“Kjo është edhe arsyeja përse ne jemi duke i kërkuar Qeverisë siriane t’i respektojë premtimet e plota në bazë të planit arab për të zgjidhur krizën, për të ruajtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë, për të shikuar përpara për një të nesërme më të mirë”,
tha al-Thani.

Damask

Damask

Sipas tij, në qoftë se Damasku nuk bashkëpunon, sanksionet do të miratohen.

Liga raportohet se ka kërkuar sot nga ekspertët e saj të hartojnë një plan për të imponuar sanksione ekonomike në Siri, me qëllim që t’i bëjnë presion regjimit për t'i dhënë fund dhunës.

Blloku 22-anëtarësh gjithashtu ka bërë thirrje për "masa të menjëhershme" për të mbrojtur civilët sirianë, duke thënë se kundërshton "të gjitha ndërhyrjet e huaja".

Liga Arabe votoi më 12 nëntor për pezullimin e Sirisë, pasi kjo e fundit nuk arriti t’i respektojë kushtet e një plani të paqes, sipas të cilit qeveria do të tërhiqte tanket nga qytetet dhe do të ndalonte sulmet mbi protestuesit.

Plani gjithashtu parashihte që Damasku të niste një dialog me opozitën brenda dy javësh.

Damasku e kishte quajtur këtë lëvizje si "një hap jashtëzakonisht të rrezikshëm" dhe “të nxitur” nga Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni e ka mirëpritur pezullimin, ndërsa Moska e ka quajtur atë
"jokorrekt".


Rritet edhe presioni ndërkombëtar

Në një tjetër shenjë të izolimit në rritje të Sirisë në skenën ndërkombëtare, Franca dhe Maroku kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga ky vend sot.

"Dhunë e re është duke u zhvilluar dhe kjo ka çuar në mbylljen e misioneve në Alepo dhe Latakia dhe rikthimin e ambasadorit tonë në Paris", tha ministri i Jashtëm francez, Alan Zhupe.

Zhupe iu referua sulmeve gjatë fundjavës në mjediset diplomatike franceze, si dhe në misionet saudite dhe turke në Siri.

Ambasadat e Marokut, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit raportohet se janë sulmuar gjithashtu nga besnikët e regjimit.

Zhupe tha se Parisi është duke punuar me Ligën Arabe për të hartuar një rezolutë të OKB-së që dënon dhunën. Rusia dhe Kina vënë veton ndaj një rezolute të ngjashme të OKB-së muajin e kaluar.

Ndërkohë, duke folur në Ankara, presidenti turk, Abdullah Gyl, paralajmëroi për pasoja, nëse sulmet në ambasada vazhdojnë.

Abdullah Gyl

Abdullah Gyl

"Nuk është e mundur të pranohen këto sulme kundër pranisë sonë në
Siri, qytetarëve tanë, ambasadave, diplomatëve dhe misioneve diplomatike. Ne i kemi dënuar fuqimisht këto sulme. Nëse ata nuk ndërmarrin masat e nevojshme dhe kjo ndodh përsëri, reagimi ynë do të jetë tjetër"
, tha Gyl.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, u tha gazetarëve se përdorimi i dhunës nga ana e opozitës siriane "shkon në të mirë të regjimit të Asadit".

"Kjo (veprimet e opozitës) ishte një lëvizje paqësore nga fillimi dhe vetëm për shkak të fushatës së përsëritur brutale të dhunës së regjimit ndaj protestuesve të pafajshëm, ne kemi parë vendin të ecë nëpër këtë rrugë shumë të rrezikshme", tha Toner.

Ndërkohë, raportohet se forcat e sigurisë kanë vrarë sot 13 civilë në Homs,
Idlib dhe Damask.

Sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, forcat e sigurisë
kanë vrarë më shumë se 3,500 protestues të opozitës dhe të tjerë që kur ka nisur kryengritja siriane në muajin mars. (e.b.)
XS
SM
MD
LG