Ndërlidhjet

Miratohet buxheti


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim buxhetin për vitin 2012. Ligji është miratuar me 58 vota - 35 deputetë kanë votuar kundër, ndërsa 2 prej tyre kanë abstenuar.

Seanca e së enjtes për buxhetin e vitit 2012 e Kuvendit të Kosovës, është përcjellë me debate të ashpra ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

Buxheti për vitin 2012 parashihet të jetë 1 miliard e 520 milionë euro - 616 milionë euro nga shuma totale planifikohet të shpenzohen për projekte kapitale, ndërsa rritja e përgjithshme ekonomike të jetë 5 për qind.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka ftuar deputetët ta votojnë këtë projektligj, pasi, sipas tij, buxheti është në interes të qytetarëve dhe siguron stabilitet makro-fiskal.
Bedri Hamza
Bedri Hamza

“Rritja ekonomike vlerësohet të jetë 5.0 për qind. Kemi qenë shumë të kujdesshëm sa i përket vlerësimit të rritjes ekonomike për periudhën e ardhshme".

“Arsyeja është se kemi marrë në konsideratë edhe vlerësimet e institucioneve shumë kredibile në këtë fushë, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar, kemi marrë parasysh ecuritë që priten të ndodhin në Eurozonë, ku realisht nuk janë shumë pesimistë, dhe kjo mund të ketë impakt edhe në zhvillimet në Kosovë”,
ka thënë Hamza.

Në anën tjetër, deputetët e partive opozitare kanë paraqitur vërejtje të shumta në projektbuxhet. Sipas tyre, buxheti është një projekt i bazuar në interesa të ngushta politike dhe pa koncept zhvillimor ekonomik.

Naser Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se konsideron që ky projektbuxhet është ndërtuar mbi bazën e paqëndrueshmërisë së të hyrave, ndërsa janë planifikuar shpenzime që nuk reflektojnë nevojat e qytetarëve të Kosovës. Sipas Osmanit, këto shpenzime nuk do ta zvogëlojnë varfërinë dhe nuk do të krijojnë vende të reja të punës.
Ky buxhet është peng i politikave
dhe premtimeve të gabuara elektorale, e jo buxhet i zhvillimit ekonomik.



“Projektbuxheti nuk merr parasysh vërejtjet e shumë institucioneve ndërkombëtare dhe nuk tregon se si do të përmirësohet pozita financiare dhe ekonomike e Kosovës. Ky buxhet është peng i politikave dhe premtimeve të gabuara elektorale, e jo buxhet i zhvillimit ekonomik”.

“Ai nuk është ndërtuar mbi objektivat zhvillimore. Korniza afatmesme e shpenzimeve 2012-2014, mbetet dokument i pavlerë, për arsye se asgjë nga ai dokument nuk reflektohet në buxhet”,
është shprehur Osmani.

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se projektbuxheti më së paku siguron rritje ekonomike. Sipas tij, nga ky projektbuxhet kanë përfituar vetëm komunat dhe ministritë, të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Ky buxhet vërtet tregon ekselencën, e që kjo Qeveri e ka në një aspekt fare të ngushtë. Tregon se si kjo Qeveri i njeh shumë mirë interesat partikulare , personale të njerëzve në të e rreth saj, dhe si pafytyrësisht i vendos ato përmbi interesat kolektive të popullit të Kosovës”, ka theksuar Ymeri.

Partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, këtë projektligj e quan buxhet të varfërisë. Adrian Gjini, nga AAK-ja, shpreh pakënaqësi rreth planifikimeve për projekte kapitale:

Ardian Gjini
Ardian Gjini
“Nëse i shihni tabelat, më shumë se gjysma e projekteve janë bartje nga viti i kaluar. Do të thotë vitin e kaluar nuk janë realizuar projektet që i kanë premtuar popullit të Kosovës dhe barten, kurse neve na paraqiten kinse për çdo vit janë shpenzuar ato mjete.

“Në fund të fundit, do të shihni se nuk janë shpenzuar. Projektet që barten prej këtij viti në vitin 2012, janë më të mëdha sesa projektet që parashihen të fillohen në vitin 2012. Do të thotë, në vitin 2012 nuk fillon asgjë”.


Debati për projektbuxhetin ka vazhduar deri në mbrëmjen e së enjtes, ndërsa miratimi i tij është bërë me votat për, të 58 deputetëve.
XS
SM
MD
LG